Zëvendëskryeministri i Irlandës ka mbrojtur veprimet e qeverisë ndaj Palestinës, duke deklaruar se ishte vendi i parë i BE-së që i quajti veprimet e Izraelit një gjenocid.
Kryeministri dhe zëvendëskryeministri i Irlandës e kanë akuzuar Izraelin për gjenocid në parlamentin irlandez – për herë të parë këtë javë.
Qeveria irlandeze është nën presion për të ndaluar tregtinë me vendbanimet e paligjshme izraelite, heqjen e kompetencave të Bankës Qendrore Irlandeze për të lejuar shitjen e obligacioneve të Izraelit në BE – dhe për të ndaluar fluturimet që thuhet se transportojnë municione në Lindjen e Mesme duke kaluar nëpër Irlandë.
Qeveria irlandeze njohu shtetësinë palestineze një vit më parë dhe ka kërkuar një rishikim të Marrëveshjes së Asociimit BE-Izrael.
Irlanda ka ndërhyrë gjithashtu në çështjen e Afrikës së Jugut duke akuzuar Izraelin për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GJPN), duke i kërkuar gjykatës të zgjerojë interpretimin e asaj që përbën gjenocidin.
Zëvendëskryeministri Simon Harris u pyet sot në parlamentin – nëse Izraeli po trajtohej ndryshe nga Rusia dhe u akuzua se kishte mbrojtur një narrativë që ishte krejtësisht e rreme mbi konfliktin në Lindjen e Mesme.
Duke iu përgjigjur deputetes së pavarur Catherine Connolly, ai tha se projektligji që ndalonte tregtinë e mallrave me vendbanimet e paligjshme izraelite në tokat palestineze do t’i kalohej Komisionit të Punëve të Jashtme në qershor.
Duke mbrojtur qëndrimin e qeverisë, ai tha se Irlanda ishte qeveria e parë në Bashkimin Evropian që ka thënë se veprimet e Izraelit përbëjnë gjenocid.
“Ne po punojmë për të mbështetur popullin e Palestinës. Irlanda, qeveria, populli i Irlandës, qëndrojnë me popullin e Palestinës, duke u ngritur për të drejtat e njeriut, duke u ngritur për të drejtën ndërkombëtare”, tha ai.
“Jam krenar për njerëzit e këtij vendi. Jam krenar që shkuam në zgjedhje dhe, pavarësisht se me cilën parti ishit, u ngritët dhe thatë ‘Ne do ta mbështesim popullin e Palestinës’, theksoi ai.
Kryeministri i Irlandës, Micheal Martin mbrojti vendimin e qeverisë së tij për të mos mbështetur Projektligjin e partisë “Sinn Fein” që propozon të fuqizojë ministrin e Financave të Irlandës për t’i dhënë fund rolit të Bankës Qendrore në lehtësimin e shitjes së obligacioneve të Izraelit në BE.
“Ne kemi qenë shumë të qëndrueshëm në mbështetjen tonë për popullin palestinez dhe të drejtën e tyre për vetëvendosje, dhe në dënimin e krimeve të luftës dhe gjenocidit që po ndodh tani”, tha Martin.