Arbër Hoxha mund të transferohet te Kayserispor gjatë merkatos së verës. Klubi turk është duke shqyrtuar seriozisht mundësinë për ta afruar anësorin shqiptar në radhët e veta.
Interesimi buron nga trajneri aktual i Kayserisporit, Sergej Jakirovic, i cili e njeh mirë Hoxhën. Dyshja ka punuar së bashku te Dinamo Zagreb, ku trajneri kroat pati një ndikim të madh në zhvillimin e tij.
Jakirovic ka mbetur i impresionuar nga aftësitë e Hoxhës dhe dëshiron ta ketë nën urdhra të tij edhe në Turqi. Ai e sheh lojtarin si pjesë kyçe në ndërtimin e një skuadre më konkurruese për sezonin e ardhshëm.

Marrëdhënia e mirë mes tyre dhe njohja e mëparshme e bën këtë transferim mjaft realist. Hoxha tashmë është një emër i njohur për Jakirovicin, që e konsideron atë të gatshëm për një hap tjetër në karrierë.
Sipas ‘Transfermarkt’, vlera e Hoxhës në treg është rreth 1.5 milionë euro. Një shifër e arsyeshme për Kayserisporin, që po kërkon përforcime cilësore pa kosto të lartë.
Për momentin, bisedimet janë në fazë paraprake, por nëse palët arrijnë marrëveshje, Hoxha pritet të ribashkohet me ish-trajnerin e tij në Turqi, në një projekt të ri te Kayserispor.