Ministria e Ekonomisë fton bizneset për organizim dhe kontraktim me furnizues të licencuar për shitjen e energjisë elektrike

by engel

Në një njoftim të bërë në orët e pasdites përmes faqes zyrtare në Facebook, Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur se Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë një nismë të re për të përfshirë bizneset në procesin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, duke organizuar një takim informues mes përfaqësuesve të sektorit privat dhe furnizuesve të licencuar të energjisë.

Takimi është zhvilluar në kuadër të punës së Këshillit Kombëtar për Ekonomi dhe Investime, me pjesëmarrjen e Ministres në largim të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Drejtorit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), Ymer Fejzullahu, si dhe përfaqësuesve të odave ekonomike dhe pesë kompanive të licencuara për furnizim me energji elektrike.

banner

Furnizuesit u shprehën të gatshëm për të ofruar kontrata për bizneset që po kalojnë në tregun e hapur të energjisë. Ata njoftuan se disa prej tyre tashmë kanë dhënë oferta konkrete dhe madje kanë nënshkruar kontrata me biznese individuale apo grupe të organizuara biznesesh. Modelet e kontratave që ofrohen janë kryesisht komerciale variabile – të bazuara në çmimet e tregut plus një marzhë për shërbimin – ndërsa tri kompani ofrojnë edhe mundësi për kontrata me çmim fiks.

Furnizuesit gjithashtu theksuan se, nëse bizneset organizohen në grupe për të negociuar, mund të përfitojnë nga çmime më konkurruese. Ata përmendën edhe platformat e bursave nga të cilat furnizohen, si ALPEX dhe HUPX, duke reflektuar një diversitet burimesh dhe fleksibilitet në ofertim.

Ministrja Rizvanolli u bëri thirrje bizneseve që janë pjesë e fazës së dytë të liberalizimit të tregut të energjisë që të veprojnë shpejt dhe të organizohen për të përfituar nga ofertat më të favorshme të furnizuesve të licencuar. Ajo po ashtu kërkoi nga ZRrE të rrisë transparencën dhe të lehtësojë qasjen në të dhëna për të gjitha palët e interesuara.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy