Gjatë konferencës konservatore CPAC që po mbahet në Budapest, kryeministri hungarez Viktor Orban ka shprehur publikisht mbështetjen e tij për kandidatin nacionalist polak për president, Karol Nawrocki.
“Rroftë Nawrocki,” raportohet të ketë thënë Orban, ndërsa ky kandidat i mbështetur nga kampi konservator, ndodhet prapa në sondazhe krahasuar me kundërshtarin e tij kryesor, Rafal Trzaskoëski – kryetar i Varshavës dhe përfaqësues i koalicionit qeverisës të qendrës së djathtë, Civic Coalition (KO).
Sipas Reuters, Orban, një aleat i hershëm i Donald Trump, në fjalimin e tij ka deklaruar se ka ardhur koha për një “plan patriotik” që sipas tij duhet të “transformojë Bashkimin Evropian”.
Ai ka thënë se rizgjedhja e Trump “ka ndryshuar botën” dhe ka shpalosur një platformë për të reformuar Bashkimin Evropian me vlera konservatore. Tutje, bëhet e ditur se ai ka përsëritur kundërshtimin ndaj anëtarësimit të Ukrainës në BE, ka refuzuar taksimin dhe huamarrjen e përbashkët evropiane dhe ka theksuar sërish rëndësinë e sovranitetit kombëtar.
“Duam ta marrim Evropën mbrapsht nga migrantët. Duam kulturë të krishterë, shkolla të bazuara në parime kombëtare,” raportohet të ketë thënë ai ndër të tjera.
Në anën tjetër edhe presidenti amerikan Donald Trump, në një mesazh të regjistruar për pjesëmarrësit e konferencës, raportohet se e ka cilësuar Orbanin si “një burrë i madh”.
Reuters raporton se që nga rizgjedhja e Trump në janar, Orban, i cili përballet me një garë të vështirë zgjedhore në fillim të vitit të ardhshëm – më sfiduesen që nga ardhja e tij në pushtet në vitin 2010 – ka rritur sulmet ndaj mediave dhe komunitetit LGBTQ+