Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit të enjten kanë shqyrtuar Projekt-Rregulloren për Varrimin dhe Mirëmbajtjen e Varrezave të reja të Prizrenit në Landovicë, ndërkohë që procedura e votimit është shtyrë për javën tjetër me qëllim të plotësimit të këtij akti.
Përmbajtja aktuale e Projekt-Rregullores është prezantuar nga Ilir Rama, përfaqësues i operatorit konsulent, i cili ka theksuar se drafti është hartuar në përputhje me dispozitat e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale dhe marrëveshjen e koncesionimit mes Komunës së Prizrenit dhe operatorit ekonomik.
Karanfil Haxhillari i LVV-së është shprehur kategorik kundër kësaj rregulloreje pasi sipas tij në përmbajtjen e saj më shumë ka specifikime për koncesionimin sesa për mirëmbajtjen e varrezave.
“Kjo rregullore na kthen në situatën para vitit 2017, ku qytetarët obligohen të paguajnë për shërbimet e varrimit”, ka thënë Haxhillari. Ai ka përsëritur qëndrimin se kjo çështje nga një akt human po rikthehet në çështje biznesi.
“Nuk jam kundër hapësirës për varrezat e reja të qytetit. Por jam kundër formës së propozuar”, është shprehur Haxhillari, raporton Telegrafi.

Nënkryetari i Komunës, Kujtim Gashi ka theksuar se pas dy takimeve të zhvilluara me hisedarët është arritur pajtimi për disa ndryshime përkatësisht plotësime të draftit. Ai ka prezantuar pjesën dërmuese të tyre, duke sqaruar se Komuna do të vazhdojë pagesën e shërbimeve të varrimit, por se një gjë e tillë rregullohet me akt tjetër, meqë bëhet fjalë për subvencione.
Adrit Krasniqi nga PDK-ja ka theksuar se ky subjekt mbështet miratimin e këtij drafti me propozimet e paraqitura nga nënkryetari Gashi.
Por Haxhillari i LVV-së nuk është pajtuar me procedimin më tej të draftit
Ngjashëm është shprehur edhe Haziz Hodaj i LDK-së, që ka kërkuar shtyrjen e kësaj pike, me qëllim të plotësimit të draftit. Edhe subjektet tjera kanë shprehur qëndrimin e njëjtë, raporton Telegrafi.
Në këtë situatë, nënkryetari Gashi ka rekomanduar që propozimi i plotësuar të shqyrtohet gjatë javës së ardhshme në vazhdimin e seancës, gjë për të cilën është arritur pajtimi verbal mes subjekteve politike.
Projekt-Rregullorja në fjalë përcakton kushtet, parimet dhe standardet për organizimin, rregullimin, mirëmbajtjen dhe shfrytëzimin e varrezave të reja në Landovicë të Prizrenit.