Prokurorët “propagandues”, ministri “shembullor”, pushteti edhe një herë në sulm ndaj sistemit të drejtësisë

by Nexhat

Një kontratë shumë e dyshimtë me shkelje të evidentuara e çoi Prokurorinë Speciale të martën në Ministrinë e Bujqësisë. Ministri në detyrë, Faton Peci u intervistua dhe shpejt u mor në mbrojtje nga zyrtarë të lartë të qeverisë në detyrë, të cilët u kthyen në sulm ndaj sistemit të drejtësisë.

Pushteti që po vazhdon të mbetet në detyrë nga ngërçi ende i pazgjidhur politik në vend, i është vënë në mbrojtje ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci, duke e sulmuar edhe një tjetër herë Prokurorinë Speciale.

banner

Peci të martën u intervistua nga Njësia e Veçantë Hetimore e Policisë së Kosovës pas disa bastisjeve në Ministrinë e Bujqësisë, Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë e Agjencinë e Veterinarisë, të kryera me kërkesë të Prokurorisë Speciale.

Ai u mor në pyetje për rreth pesë orë në lidhje me një kontratë për funksionalizimin e objekteve për përpunimin e produkteve shtazore. Kompania përfituese u regjistrua vetëm 5 ditë pas publikimit të thirrjes së dytë për aplikim. Pronari i saj del të ketë lidhje me tri kompani të tjera, pa ndonjë përvojë në këtë fushë. Themelues aksionarë të kësaj kompanie ishin kompani të tjera me adresë deri në Beograd të Serbisë.

Pecin, që u intervistua, kryeministri në detyrë, Albin Kurti nuk mundi ta marrë atë ditë në panairin “AGROKOS & Agroturizëm 2025”, për të cilin shkroi në mbrëmje.

“Panairi AGROKOS & Agroturizëm 2025 – një ngjarje e përvitshme ku përfaqësohen prodhues të kulturave bujqësore, përpunues të frutave dhe të produkteve blegtorale, kompani të makinerive bujqësore, pijeve artizanale, ambalazhimit dhe standardizimit dhe agroturizmi, një sektor i cili po kthehet në një pasuri të re për vendin tonë. E kjo padyshim është edhe rezultat i trajtimit me prioritet e seriozitet që i kemi bërë sektorit të bujqësisë dhe qeverisjes së mirë e të suksesshme të ministrit të linjës, Faton Peci”, shkroi ai në një postim në Facebook.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, më herët atë ditë ishte shprehur “shumë e bindur” se “ministri Peci e ka bërë një punë të jashtëzakonshme”.

“Nuk ka asgjë për të fshehur këtu. Nuk ka pasur asnjë ndërhyrje nga ministri Peci. Ne e kemi pasur rastin që të diskutojmë edhe para disa ditëve edhe sot për këtë çështje. Ai është shumë i hapur që të bashkëpunojë me institucionet për të zbardhur gjithë këtë, si me thënë, plan për ta dëmtuar ministrin Peci, për ta dëmtuar Qeverinë Kurti. Pra, nuk ka asgjë për të fshehur. Nuk ka asnjë ndërhyrje dhe do të jetë kurdo që të ftohet nga institucionet përgjegjëse”, tha ajo.

Donika Gërvalla, zëvendëskryeministre në detyrë e cila e drejton partinë Guxo së bashku me Pecin tha se aksioni “inskenim i gërditshëm i Blerim Isufajt kundër ministrit Faton Peci, ministrit më shembullor të këtij mandati”.

“Hakmarrje e shëmtuar ndaj betejës së suksesshme të Fatonit kundër korrupsionit dhe guximit të tij për t’u ballafaquar me secilën shkelje të ligjit, pa marrë parasysh se sa të rrezikshëm janë shkelësit dhe sa shumë shokë e ortakë kanë në Prokurorinë Speciale. Kur pikërisht ata që e kanë për detyrë ta mbrojnë shtetin ligjor dhe qytetarët e Republikës nga krimi i keqpërdorin organet e drejtësisë për hakmarrje dhe për të njollosur figurat e suksesshme dhe të pastra politike, atëherë asgjë më nuk duhet të na habisë. Por, kthim prapa nuk ka. Deri në reformimin e plotë edhe të sistemit të drejtësisë”, shkroi ajo në një postim në Facebook.

Një deklaratë për media u lëshua më pas edhe nga partia e udhëhequr nga Gërvalla e Peci. U shpreh “shqetësim i thellë” me veprimet e Prokurorisë Speciale, e cila sipas partisë e cila nuk i ndahet Lëvizjes Vetëvendosje, “dukshëm po jep shenja se është bërë pjesë e lojërave politike”.

“Partia Guxo qëndron fuqishëm përkrah Ministrit Peci dhe dënon çdo përpjekje për njollosjen e figurave të ndershme që punojnë për interesin publik. Këto sulme politike nuk do ta ndalin betejën tonë për një shtet të drejtë dhe të barabartë për të gjithë qytetarët”, thuhej ndër tjerash në reagimin e kësaj partie.

Anëtari i ri i saj, i zgjedhur deputet në zgjedhjet e fundit parlamentare, Nezir Kraki, tha se prokurorët po bënin “propagandën më absurde kundër një ministri”.

Prandaj, ai tha se “na duhet urgjentisht qeveria Kurti 3 dhe funksionalizimi sa më i shpejtë i procesit të vettingut bashkë me mekanizmin e konfiskimit të pasurisë së vjedhur”.

Shoqata e Prokurorëve të Kosovës, është shprehur e shqetësuar me akuzat që iu bënë ndaj sistemit të drejtësisë nga zyrtarë të qeverisë në detyrë, pas intervistimit të ministrit në detyrë, Peci.

“Shoqata e Prokurorëve të Kosovës me shqetësim ka përcjellë reagimet publike të bëra së fundmi nga përfaqësues të subjektit politik GUXO dhe nga zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, pas veprimeve procedurale të ndërmarra nga Prokuroria Speciale në rastin që përfshin intervistimin e një zyrtari të lart në cilësinë e të dyshuarit. Në mënyrë të veçantë, Shoqata e konsideron të papranueshme gjuhën denigruese dhe akuzat publike të drejtuara ndaj Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, z. Blerim Isufaj, si dhe ndaj prokurorit të çështjes, z. Admir Shala, për shkak të ushtrimit të detyrës së tyre ligjore dhe kushtetuese”, u tha në reagimin e kësaj shoqate.

Shoqata e Prokurorëve tha se “akuzat politike, tentativat për diskreditim personal dhe përmendja e përkatësive të mëhershme partiake, nuk mund dhe nuk guxojnë të përdoren si mjet për të ndikuar në vendimmarrjen apo integritetin e prokurorëve”.

“Ne u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve publikë që të respektojnë pavarësinë institucionale të sistemit prokurorial, dhe të përmbahen nga deklaratat që përbëjnë presion të drejtpërdrejtë ose të tërthortë ndaj punës së prokurorëve. Shoqata e Prokurorëve të Kosovës do të vazhdojë të jetë garantuese e pavarësisë së secilit prokuror në Republikën e Kosovës, duke mbështetur ata që veprojnë me integritet, profesionalizëm dhe në interes të zbatimit të drejtë të ligjit, pa frikë dhe pa favor”, u tha në reagim.

Akuzat e rikthyera ndaj sistemit të drejtësisë pasojnë sulmet denigruese dhe fyese që kryeministri në detyrë, Albin Kurti ua ka bërë prokurorëve.

Në një rast, në fund të vitit të kaluar, Kurti thoshte se prokurorët shndërrohen nga “kërmij” në “lepuj të shpejtë” kur bëhet fjalë për ndjekjen ndaj njerëzve të pushtetit aktual. Ai ankohej se ata “nuk reagojnë shpejt kur nuk bëhet fjalë për Lëvizjen Vetëvendojse”, por “reagojnë shpejt kur VV bën ndonjë gabim të aluduar procedurial”.

Me këtë rast, prokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, kishte thënë se këto deklarata minonin integritetin e sistemit të drejtësisë dhe e cenonin edhe besimin e publikut në sundimin e ligjit.

“Më lejoni t’ju jap vetëm një fakt: aktualisht kemi të ngritura aktakuza për pesë ish ministra, të kabineteve tjera qeveritare e kam fjalën; nuk e kemi të ngritur asnjë aktakuzë për asnjë ministër aktual. Kemi të hudhura 17 kallëzime penale për ministrat aktualë në detyrë. Unë nuk di cili është argumenti më i madh që tregon se ne nuk punojmë në mënyrë selektive, se fare s’na intereson ajo punë. Ne punojmë vetëm në bazë të provave, në bazë të ligjit dhe në bazë të Kushtetutës. Kjo nuk do të thotë fare se në të ardhmen nuk do të ketë aktakuza edhe për ministrat aktualë, por po them, derisa po flasim, nuk e kemi asnjë aktakuzë për ministrat në detyrë, i kemi të gjitha për ish ministrat e kabineteve të tjera”, shprehej Isufaj

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy