Rrezarta Krasniqi mbështet protestën e bizneseve: “Zëri i sektorit privat nuk mund të injorohet”

by engel

Në vazhdën e reagimeve pas protestës së sotme të bizneseve, që bllokuan hyrjet kryesore të Prishtinës në shenjë pakënaqësie ndaj politikave të qeverisë për furnizimin e bizneseve me energji elektrike nga tregu i lirë, ka reaguar edhe deputetja e legjislaturës së kaluar nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi.

Përmes një postimi në profilin e saj në Facebook, Krasniqi ka dalë në mbështetje të sektorit privat, duke kërkuar nga Qeveria e Kosovës të ndryshojë urgjentisht qasjen e saj ndaj bizneseve. Ajo ka theksuar se zëri i këtij sektori nuk mund të injorohet, ndërsa ka paralajmëruar se politikat e paqarta dhe mungesa e përkrahjes po i çojnë ndërmarrjet drejt një kolapsi të pashmangshëm.

banner

“Zëri i sektorit privat nuk mund të injorohet,” ka shkruar ajo.
“Sot, protestat që bllokuan hyrjet e Prishtinës janë një alarm i qartë: sektori privat po mbytet nga mungesa e mbështetjes dhe politikat e paqarta të qeverisë. Në vend që të ndihmojë ata që krijojnë vende pune dhe zhvillim, qeveria po i shtyn drejt greminës. Është koha të dëgjohet dhe të mbështetet ata që mbajnë ekonominë gjallë.”

Reagimi i Krasniqit vjen në një ditë kur tensionet mes sektorit privat dhe institucioneve qeveritare janë rritur, veçanërisht pas deklaratave të Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili u shpreh në mbledhjen e qeverisë se “koha e barrikadave ka kaluar”, deklaratë që u interpretua gjerësisht si një përçmim ndaj protestës së bizneseve.

Ndërkohë, protestuesit kanë paralajmëruar masa të tjera në ditët në vijim nëse nuk ka hapa konkretë nga qeveria për të adresuar kërkesat e tyre. Situata mbetet e tensionuar, ndërsa kërkesa për dialog dhe ndryshimin e vendimit për furnizim të bizneseve me energji elektrike nga tregu i lirë po bëhet vazhdimisht më e zëshme dhe këmbëngulëse nga ana e bizneseve.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy