Aleksandar Vuçiq ka folur rreth pretendimeve të shërbimeve ruse se “Beogradi vazhdon t’i dërgojë municion Kievit përmes vendeve ndërmjetëse”.
Presidenti serb pohoi se ka biseduar posaçërisht me presidentin rus, Vladimir Putin, të cilët i ka thënë se nuk ka asgjë të vërtetë.
“Edhe në prani të disa personave nga të dy delegacionet, por edhe në bisedë kokë më kokë. Kemi formuar një grup pune, së bashku me partnerët rusë, për të përcaktuar faktet. Disa nga gjërat që janë thënë nuk janë të vërteta. Për shembull, ata thonë saktësisht se ekziston një kontratë me Çekinë. Por, nuk është dhënë leje dhe asnjë nga raketat nuk është dorëzuar”, siguron presidenti i Serbisë, shkruan N1.
Zyra e shtypit e Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme (SVR) të Federatës Ruse njoftoi se, sipas informacioneve që mbërrijnë në SVR, ndërmarrjet mbrojtëse serbe, pavarësisht “neutralitetit” të deklaruar të Beogradit, vazhdojnë t’i dërgojnë municion Kievit
Në njoftimin në faqen zyrtare, SVR thotë se për aktivitetet kundër Rusisë po përdoret një skemë e thjeshtë me certifikata të rreme të përdoruesit përfundimtar dhe vende ndërmjetëse.
“Por edhe një gjë tjetër: fabrikat tona duhet të jetojnë dhe të funksionojnë. Në industrinë ushtarake punojnë drejtpërdrejt rreth 24 mijë njerëz dhe ata varen nga ajo industri. Aktualisht, armët po i drejtojmë për furnizimin e ushtrisë sonë”, thotë Vuçiq.
Ai pretendon se ata që më parë e kanë akuzuar si spiun rus, tani po thonë se ka ndërruar anë “jo, zotërinj, ne punojmë vetëm për Serbinë”.
Ndryshe, Serbia raportohet se eksportoi 800 milionë euro (908 milionë dollarë) municion në Ukrainë nëpërmjet vendeve të treta që kur Rusia nisi pushtimin e shtetit ukrainas në vitin 2022.