Dhimbja e kokës është një nga ankesat më të zakonshme shëndetësore dhe shpesh lidhet me faktorë të jashtëm si stresi, lodhja apo moti. Por, sipas hulumtimeve të fundit, edhe disa ushqime të zakonshme në dietën tonë ditore mund të luajnë një rol të rëndësishëm në shfaqjen ose përkeqësimin e kësaj gjendjeje.
Fajtori i përbashkët?
Një përbërës kimik i quajtur tiraminë, që ndodhet në shumë produkte ushqimore të fermentuara ose të pjekura.
Ja cilat janë disa nga ushqimet më problematike:
Djathërat e vjetruar
Djathërat si Roquefort, Cheddar, Brie, Parmixhano dhe mocarela përmbajnë sasi të larta të tiraminës, e cila mendohet se nxit zgjerimin e enëve të gjakut në tru – një shkak i mundshëm për migrenë.
Buka dhe produktet me gluten
Te personat me ndjeshmëri ose intolerancë ndaj glutenit, konsumi i bukës, biskotave dhe makaronave mund të shkaktojë inflamacion dhe dhimbje koke si pjesë e një reagimi sistemik.
Akullorja dhe ushqimet e ftohta
“Acarimi nga akullorja” është një fenomen i njohur për ata që vuajnë nga migrena. Ushqimet shumë të ftohta nxisin ngushtim dhe zgjerim të menjëhershëm të enëve të gjakut në tru, duke shkaktuar dhimbje të menjëhershme në pjesën e përparme të kokës.
Ushqimet e kripura dhe turshitë
Turshitë, ullinjtë, arrat e kripura dhe ushqimet e konservuara kanë përmbajtje të lartë të kripës dhe tiraminës, dy faktorë që mund të kontribuojnë në shfaqjen e dhimbjeve të kokës.
Çamçakëzi
Duket i pafajshëm, por përtypja e çamçakëzit mund të rrisë tensionin në muskujt e nofullës dhe të shkaktojë dhimbje koke, veçanërisht tek adoleshentët.
Vera e kuqe dhe alkooli
Përveç tiraminës, pijet alkoolike (veçanërisht vera e kuqe) përmbajnë edhe sulfite dhe histaminë – të gjitha të lidhura me nxitjen e migrenës dhe dhimbjeve të kokës.
Kripa
Një studim amerikan tregoi se reduktimi i konsumit ditor të kripës nga 9g në 3g ul ndjeshëm dhimbjet e kokës, deri në 31%.
Çokollata
E ëmbël, por potencialisht problematike për disa njerëz. Përmban tiraminë, feniletilaminë dhe kafeinë – një trio që mund të shkaktojë dhimbje koke tek personat e ndjeshëm.
Çfarë mund të bëni? Nëse vuani shpesh nga dhimbjet e kokës, mbani një ditar ushqimor për të identifikuar nxitësit personalë.
Shmangia graduale e ushqimeve të dyshimta dhe konsultimi me një mjek mund të sjellin përmirësime të ndjeshme.