Ushtarët turq të dislokuar në kuadër të Komandës Rajonale-Lindje të KFOR-it vazhdojnë patrullimet e rregullta në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë zonat përgjatë kufirit me Serbinë.
Sipas një njoftimi zyrtar të misionit të NATO-s në Kosovë, këto patrullime janë pjesë e misionit të përditshëm të KFOR-it për të ruajtur sigurinë dhe stabilitetin në vend. “Këto përpjekje janë pjesë e misionit të përditshëm të KFOR-it për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, thuhet në komunikatën e publikuar.
KFOR-i ka ripërsëritur përkushtimin ndaj mandatit të tij, që rrjedh nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e miratuar në vitin 1999. Në këtë kuadër, KFOR-i synon të kontribuojë në krijimin e një mjedisi të qëndrueshëm dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke garantuar lirinë e lëvizjes dhe duke vepruar në mënyrë të paanshme.
Misioni i NATO-s nënvizoi gjithashtu se bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), duke respektuar rolet përkatëse të secilit institucion në zinxhirin e reagimit ndaj çështjeve të sigurisë.