Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, në një konferencë për media të mbajtur sot, ka reaguar ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për të nxjerrë në treg të hapur bizneset për furnizim me energji elektrike, duke ngritur dyshime për konflikt interesi dhe përfshirje të personave të afërt me qeverinë në këtë proces.
Tahiri tha se ka siguruar një dokument që tregon se në mesin e kompanive që kanë aplikuar për të marrë licencë për shitje të energjisë elektrike në Kosovë, ndodhet edhe një kompani që dikur, sipas tij, ishte në pronësi të shefit të stafit të kryeministrit Albin Kurti, Luan Dalipi.
Sipas Tahirit, kjo kompani – të cilën ai e identifikoi si MDA – aktualisht drejtohet nga Driton Dalipi, për të cilin deputeti aludoi se është vëllai i Luan Dalipit.
“Pra, MDA-ja që sot drejtohet nga Driton Dalipi, e që me gjasë është vëllai i shefit të Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, ka aplikuar për licencë për shitje të energjisë elektrike në vendin tonë”, tha Tahiri.
Deputeti opozitar gjithashtu ngriti shqetësime edhe për përfshirjen e vëllait të kryeministrit Albin Kurti në çështjet që lidhen me energjinë, duke deklaruar se ai është vendosur në zyrën e KEK-ut për shitblerje të energjisë, pa dhënë më shumë detaje mbi funksionin apo ndikimin e tij.
Tahiri e cilësoi këtë situatë si shqetësuese, duke kërkuar transparencë të plotë nga institucionet përgjegjëse dhe duke e akuzuar qeverinë për përfshirje të njerëzve të afërt në sektorin energjetik, i cili po kalon në një periudhë të rëndësishme tranzicioni drejt liberalizimit të tregut.
Nga ana tjetër, deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, Zyra e Kryeministrit dhe ZRRE nuk kanë dhënë ndonjë reagim zyrtar lidhur me akuzat e ngritura nga deputeti Tahiri.
Kujtojmë se vendimi për të liberalizuar tregun e energjisë për biznese ka ngjallur kundërshtime të forta nga komuniteti i biznesit, të cilët paralajmëruan protesta për shkak të rritjes së mundshme të çmimeve dhe paqartësive në zbatimin e vendimit.