Berisha reagon ndaj Maqedoncit: Deklarata për agresion të Serbisë, kur nisi “Defender Europe 2025”, është absurde

by informim peje

Njohësi i sigurisë, ish-deputeti, pjesë e Komisionit parlamentar të Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Hisen Berisha kritikoi deklaratat e fundit të ministrit në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, se 70 për qind e ushtrisë së Serbisë është rreth kufirit me Kosovën.

Berisha në intervistë për Ekonomia Online, tha se këto deklarata janë të pabazuara dhe cenojnë besimin ndaj aleatëve strategjikë si SHBA-ja, Britania e Madhe dhe NATO-ja. “Deklarimet e fundit të ministrit të Mbrojtjes së Kosovës, sipas të cilit ‘kërcënimet janë reale dhe se Beogradi zyrtar ka vendosur 70% të ushtrisë në kufirin tonë’, përbëjnë një shqetësim më shumë në aspektin e komunikimit strategjik sesa të sigurisë kombëtare. Të sugjerosh në mënyrë publike se Serbia është në prag të një sulmi të drejtpërdrejtë ndaj Kosovës, në një kohë kur në vend po zhvillohet një nga ushtrimet më të mëdha ushtarake shumëkombëshe në Evropë “Defender Europe 2025’, me mbi 20 mijë trupa të NATO-s dhe partnerëve të saj, është jo vetëm një deklaratë e pabazuar, por edhe një mesazh që cenon besimin ndaj vetë kapaciteteve mbrojtëse të Republikës së Kosovës dhe ndaj aleatëve strategjikë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar dhe NATO-ja. Pretendimi se Serbia do të ndërmarrë një agresion të drejtpërdrejtë ndaj Kosovës është po aq absurd sa edhe mbledhja urgjente e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, pikërisht në kohën kur nisi ushtrimi shumëkombësh ‘Defender Europe 2025’. Ky paralelizëm tregon më tepër për llogari të brendshme politike sesa për një analizë reale të situatës në terren”, tha Berisha.

banner

Ai thekson se prania e përhershme e forcave amerikane dhe e misionit KFOR garanton sigurinë në rajon, ndërsa shpreh pikëpamjen se retorika e panevojshme alarmuese mund të dëmtojë kredibilitetin e shtetit dhe të shkaktojë panik te qytetarët.

“Serbia nuk e ka fshehur kurrë ambicien për të aneksuar Kosovën, në rastin e parë që do t’i ofrohej një vakuum ndërkombëtar apo një moment dobësie në rajon. Prandaj, krahas zhvillimit të kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, është jetike që Republika e Kosovës të angazhohet për ndërtimin e aleancave të qëndrueshme mbrojtëse dhe nënshkrimin e traktateve bilaterale të sigurisë me partnerë strategjikë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Izraeli, Kroacia Gjermania, Shqipëria etj”, tha ai.

Kosova, sipas Berishës, ka nevojë për udhëheqje të përgjegjshme dhe për forcimin e aleancave ndërkombëtare të sigurisë.

“Në Kosovë është instaluar Komanda e Përhershme e Forcave Amerikane për Evropë dhe Afrikë (U.S. Army Europe and Africa HQ), vepron misioni i KFOR-it nën mandatin e Kombeve të Bashkuara, me përbërje shumënacionale dhe kapacitete të larta ndërhyrëse. Kosova gëzon një prani të përhershme të Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara.
Së fundmi ka pasur një shtim të konsiderueshëm të pranisë ushtarake britanike në vend. Këto përbëjnë një garanci strategjike, të jashtëzakonshme, për paqen, sigurinë dhe qëndrueshmërinë në rajon. Deklaratat e karakterit alarmues nga përfaqësues të institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes duhet të jenë të balancuara, të bazuara në inteligjencë strategjike dhe të kalojnë nëpër filtrin e koordinimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar”, tha ai.

Berisha është i mendimit se në të kundërtën, ato deklarata rrezikojnë të minojnë kredibilitetin e shtetit, të dekurajojnë investime ndërkombëtare dhe të krijojnë një ndjenjë të panevojshme paniku te qytetarët.

“Kosova ka nevojë për udhëheqje të përgjegjshme, të matur dhe të përkushtuar ndaj aleancës euroatlantike, jo për retorikë emocionale që lë vend për keqkuptime e dyshime ndaj vetë besueshmërisë së partnerëve tanë strategjikë”, tha për EO, Berisha.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy