Cakolli: VV mban barrën kryesore të krizës aktuale, por as opozita nuk është pa përgjegjësi  

by Nexhat

Hulumtuesi i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje, ka përgjegjësinë kryesore për krizën aktuale politike në vend.

Megjithatë, ai përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ka theksuar se edhe opozita nuk mund të qëndrojë jashtë përgjegjësive dhe kritikës publike,

banner

“Kur llogaridhënia trajtohet si monolog kundër pushtetit, e jo si standard ndaj kujtdo që mban mandat publik, nuk po mbrohet demokracia, por komoditeti politik.

Si shoqëri civile, nuk jemi këtu për të dekoruar retorikën e askujt. Ne flasim kur shteti ngec dhe kur përfaqësuesit politikë – pozitë apo opozitë – nuk ushtrojnë funksionet e tyre. Mbi të gjitha, është e padrejtë të thuhet se kemi heshtur për katër vite, kur shpesh kemi qenë zëri i vetëm në thirrjet për transparencë, integritet dhe zgjidhje.

PO, LVV e ka barrën kryesore në krizën aktuale – këtë e kemi artikuluar hapur, pa ekuivok dhe vazhdimisht! Por, JO, kjo nuk do të thotë se të tjerët kanë luksin e papërgjegjësisë.

Ideja se opozita është e paprekshme nga kritika, se kriza është “monopol” i pushtetit, apo se ndarja e përgjegjësisë është padrejtësi, është kundër çdo logjike institucionale.

Në një realitet pa shumicë, çdo refuzim sistematik i dialogut dhe i çdo formule zgjidhjeje është pjesë e bllokadës, pavarësisht pozitës që mban.

Nëse askush nuk ndryshon qasje, edhe zgjedhjet e reja do të prodhojnë të njëjtën krizë. Me ndryshimin e vetëm, që do të shpenzojmë miliona euro për të larë linjat e kuqe apo retorikën ndaj të tjerëve.

Kur Kuvendi nuk funksionon dhe shteti është në pauzë, askush që mban mandat publik nuk është pa përgjegjësi. Dhe askush nuk është i përjashtuar nga pyetja më e thjeshtë publike: çka je duke bërë për zgjidhje?”, shkroi Cakolli.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy