Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur fajtor Jon Hotin për vrasjen e dy personave, Albison dhe Rexhep Shlivova, duke e dënuar atë me 24 vite e 6 muaj burgim. Ngjarja tragjike kishte ndodhur më 13 nëntor 2024 në një lokal në qendër të Klinës, duke tronditur opinionin publik në mbarë vendin.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, Hoti kishte vepruar me dashje kur privoi nga jeta dy viktimat, duke përdorur armë zjarri në një mjedis të mbushur me njerëz. Ngjarja kishte nisur pas një komunikimi paraprak përmes rrjetit social Facebook, ku Hoti kishte lënë takim me viktimat nën pretekstin e diskutimit të një çështjeje pronësore.
Në momentin e takimit, i pandehuri ishte ulur në të njëjtën tavolinë me viktimat. Pas një bisede të shkurtër, ai ishte ngritur në këmbë dhe kishte hapur zjarr, duke goditur për vdekje të dy personat. Gjatë këtij akti brutal, në lokal ndodheshin edhe persona të tjerë, të cilët sipas gjykatës, ishin në rrezik të drejtpërdrejtë për jetën.
Një element kyç në hetim ishte ndërhyrja e dëshmitarit E.Sh, vëllai i njërës prej viktimave, i cili kishte tentuar të ndalonte autorin e sulmit. Sipas dosjes së prokurorisë, ai ishte përplasur fizikisht me Hotin, çka kishte rezultuar në rënien e armës në dysheme, duke shmangur një tragjedi edhe më të madhe.
Pas sulmit, Hoti ishte larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, por ishte arrestuar më pas nga Policia e Kosovës.
Vendimi i Gjykatës Themelore në Pejë u dha sot pas një procesi gjyqësor dhe dëgjimit të dëshmitarëve dhe ekspertëve. Trupi gjykues e cilësoi veprimin e Hotit si vrasje të dyfishtë me paramendim.