Ferizaj ka konfirmuar zyrtarisht rinovimin e bashkëpunimit me trajnerin Arsim Abazi edhe për një sezon.
Klubi bardhekaltër ishte njëra nga befasitë më të mira të këtij edicioni në Albi Mall Superligën e Kosovës, duke siguruar herë mbijetesën dhe duke luftuar deri në xhiron e fundit për një vend në Evropë
Njëri nga më meritorët për këtë sukses të “Ujqve” padyshim se ka qenë trajneri Arsim Abazi, i cili ka befasuar të gjithë me rezultatet e marra përkundër një ekipi “të vogël” që kishte në dispozicion.
Megjithatë, kjo ka bërë që puna e tij të vlerësohet lartë nga drejtuesit e klubit, të cilët kanë vendosur të rinovojnë kontratën me Abazin.
“FC Ferizaj njofton se trajneri Arsim Abazi do të vazhdojë të qëndrojë në krye të shtabit teknik edhe për sezonin garues 2025/26”.
“Me këtë vazhdimësi, synojmë të ruajmë stabilitetin dhe të ndërtojmë mbi bazat e vendosura, duke punuar për një sezon të suksesshëm në fushë dhe jashtë saj”, thuhet në njoftimin e Ferizajt.