Një vjedhje e rëndë ka tronditur banorët e fshatit Grazhdanik të Prizrenit mbrëmjen e 28 majit, ku një familje është bërë pre e hajdutëve që kanë marrë me vete stoli ari në vlerë të konsiderueshme.
Sipas gazetarit korrespodent Nuhi Salihu, ngjarja ka ndodhur në orët e mbrëmjes, rreth orës 20:00 deri në 23:00, në një shtëpi që ndodhet në rrugën “Besim Shala”.
Viktima e këtij akti është një banor nga familja Thaçi, i cili ka deklaruar se autorët kanë thyer derën hyrëse të banesës dhe kanë grabitur sasinë e konsiderueshme të arit, që llogaritet të jetë mbi 10 mijë euro.
“Banori i fshatit nga familja Thaçi, tregon se shtëpia e tij ka qenë e mbyllur në atë kohë dhe hajnat kanë vepruar të pashqetësuar për disa orë,” ka bërë të ditur Salihu.
Pasi është raportuar rasti, Policia e Kosovës është vënë në lëvizje dhe ka nisur hetimet për të identifikuar autorët.