Finalja e madhe e Kampionatit Europian U-17 “Shqipëri 2025” është zyrtarisht e përcaktuar: Portugalia do të përballet me Francën më 1 qershor, në stadiumin modern “Arena Kombëtare” në Tiranë. Një përballje që premton spektakël, mes dy prej ekipeve më të forta të këtij turneu rinor.
Portugalia siguroi vendin në finale pas një sfide dramatike ndaj Italisë në gjysmëfinale. Ndeshja, e luajtur me intensitet të lartë, përfundoi 2-2 në kohën e rregullt dhe u vendos përmes ruletës së penalltive, ku luzitanët triumfuan 4-3.
Italia e nisi më mirë takimin, duke kaluar në avantazh në minutën e 20-të me golin e Samuele Inacio. Megjithatë, Portugalia reagoi menjëherë dhe barazoi në minutën e 28-të me Stevan Manuel. Pjesa e parë u mbyll në baraspeshë, ndërsa në fraksionin e dytë ritmi nuk ra aspak.
Azzurrët rimorën avantazhin në minutën e 59-të falë Alessio Baralla, por entuziazmi i tyre zgjati vetëm tetë minuta, pasi Tomas Soares riktheu balancën në minutën e 67-të. Me rezultatin që nuk ndryshoi deri në fund, gjithçka u vendos nga pika e bardhë e penalltive. Heroi i mbrëmjes u bë portieri portugez, i cili priti dy penallti dhe e çoi skuadrën e tij në finalen e madhe.
Tashmë, Portugalia do të kërkojë trofeun ndaj një tjetër gjiganti, Francës, e cila ka treguar forcë dhe cilësi gjatë gjithë turneut. Ndeshja finale pritet të jetë një duel emocionues mes teknikës portugeze dhe fuqisë franceze.