Anëtari i Kryesisë së Nismës Socialdemokrate, Zafir Berisha, ka reaguar me tone të ashpra ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti, i cili një ditë më parë kritikoi protestën e organizuar nga përfaqësues të komunitetit të bizneseve lidhur me vendimin për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.
Berisha, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se krahasimi që Kurti bëri mes protestës së bizneseve dhe barrikadave të vendosura nga grupe kriminale në veri të vendit, është i papranueshëm dhe shfaq përçmimin e tij ndaj sektorit privat.
“Ka kohë që ky njeri ka rrëshqit, ama sot po e vërteton se vendin e ka në qendrën integruese rehabilituese e të sëmurave kronik psikiatrik në Shtime,” ka shkruar Berisha me një gjuhë tejet të drejtpërdrejtë dhe pa dorëza.
Ai akuzoi Kurtin se në të kaluarën vetë ka marrë pjesë në veprime të dhunshme për të ardhur në pushtet dhe se sot, sipas tij, po i mban ligjërata bizneseve që kërkojnë të drejtat e tyre përmes protestave paqësore.
“Për me ardhur në pushtet me ndihmën e analfabetëve, ai jo vetëm që ka blloku rrugë e vënë barrikada, por ka sulmuar dhe dëmtuar institucione dhe prona private, duke gjymtuar policë dhe lënë për jetë invalid”, tha ai.
Berisha përfundoi reagimin e tij duke thënë se Kurti i sheh bizneset me “dioptrinë e shokut Lenin dhe Stalin”, duke e akuzuar për një qasje autoritare dhe armiqësore ndaj sektorit privat, të cilin ai e konsideroi shtyllë të rëndësishme të zhvillimit ekonomik të vendit.
Kjo deklaratë vjen në kohën kur tensionet mes qeverisë dhe komunitetit të biznesit janë rritur pas vendimit të ZRRE-së për të nxjerrë bizneset në tregun e hapur të energjisë elektrike, vendim që është pritur me shqetësim dhe ka nxitur protesta të organizuara nga shoqatat ekonomike dhe përfaqësues të ndërmarrjeve.