Dy ditë para hyrjes në fuqi të vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për liberalizimin e tregut energjetik, bizneset në Kosovë kanë paralajmëruar radikalizim të protestave.
Pronari i një prej bizneseve më të mëdha në vend, Hamdi Malushaj, i cili udhëheq një kompani me mbi 1300 punonjës, e ka cilësuar vendimin si të padrejtë dhe të dëmshëm. Sipas tij, faturat mujore për energji do të trefishohen, ndërsa ai ka akuzuar ZRRE-në për favorizim të KESCO-s – si përfitues direkt nga ky vendim.
“Po paguajmë 100 mijë euro, do të paguajmë 300 mijë. Në këtë formë, po na nxjerrin nga shtëpia për të na kthyer prapë te i njëjti furnizues – vetëm me çmim shumë më të lartë,” u shpreh Malushaj.
ZRRE konfirmoi se nuk do të ketë shtyrje të vendimit, pavarësisht protestave të zhvilluara në Prishtinë, ku bizneset bllokuan hyrjet kryesore të qytetit.
Nga ana tjetër, kryeministri në detyrë Albin Kurti u shpreh se vetëm 1% e bizneseve po protestojnë, deklaratë që ngjalli reagime të ashpra nga komuniteti afarist. Kryetari i Klubit të Bizneseve, Ilir Ibrahimi, tha se ky 1% përfaqëson rreth 60% të ekonomisë së Kosovës, duke akuzuar Kurtin për krahasime të papranueshme me grupet kriminale në veri.
Efektet e vendimit – Sipas ekspertit të energjisë Adhurim Haxhimusa, liberalizimi në afat të shkurtër do të dëmtojë bizneset për shkak të kontratave ekzistuese me klientë, ndërsa në afat të gjatë, rritja e kostos mund të reflektohet në çmime më të larta për qytetarët. Nëse bizneset nuk arrijnë të përballojnë kostot, mund të largohen nga Kosova, duke thelluar varfërinë dhe papunësinë.
Aktualisht janë 21 kompani të licencuara për shitjen e energjisë, por sipas bizneseve, oferta konkrete për furnizim vjen vetëm nga KESCO, me çmime trefish më të larta.
Protestat pritet të vazhdojnë, derisa të merret një vendim për shtyrje ose rishqyrtim të liberalizimit.