Nuk ka patur asnjë sulm ukrainas ndaj helikopterit të Vladimir Putinit. Kështu shkruan Moscow Times, duke mohuar lajmin e dhënë të dielën e kaluar nga komandanti i forcës së mbrojtjes ajrore të Moskës, sipas të cilit avioni që mbante presidentin rus gjatë vizitës së tij në rajonin e Kurskut ishte shënjestruar nga dronët e Kievit.
Gazeta e pavarur online me seli në Amsterdam, shkruan se në realitet ishte një “kurth i planifikuar me kujdes” nga Kremlini.
Forcat e sigurisë dolën me “këtë episod tronditës dhe “të rrezikshëm” për të bindur rusët se presidenti nuk po fshihet pas shpinës së tyre, por gjithashtu po merr rreziqe dhe po bën sakrifica”, thanë katër burime qeveritare dhe të Kremlinit për The Moscow Times në një artikull në Telegram të botuar të martën në mbrëmje..
Putini në fakt ndodhej në rajonin e Kurskut, ku, sipas versionit zyrtar, po shkonte me helikopter, vazhdon artikulli, duke theksuar se ky rajon është “rregullisht” një objektiv i sulmeve ukrainase.
Megjithatë, sipas zyrtarëve, siguria e tij ishte garantuar në nivelet më të larta. “Askush nuk do ta lejonte kurrë një neglizhencë të tillë kriminale. As në një makth”, tha një nga zyrtarët pranë administratës presidenciale, një ekspert i sistemit të sigurisë presidenciale.
Më 25 maj, komandanti i divizionit rus të mbrojtjes ajrore, Yuri Dashkin, tha në një intervistë të transmetuar nga kanali televiziv Rossiya-24 se helikopteri i Putinit kishte qenë “në qendër të sprapsjes së një sulmi në shkallë të gjerë nga dronë armik”, duke shtuar se intensiteti i sulmit gjatë fluturimit mbi territorin e rajonit të Kurskut ishte rritur ndjeshëm dhe për këtë arsye ishte e nevojshme në të njëjtën kohë të zhvillohej një betejë e mbrojtjes ajrore dhe të sigurohej siguria e fluturimit të helikopterit presidencial.