Prishtinë, 31 maj 2025 – Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit në largim, Albin Kurti, i cili sot ka akuzuar partitë opozitare për, siç tha ai, mendësi patriarkaliste dhe për mosgatishmëri për të pranuar një grua në krye të Kuvendit.
Në një postim në Facebook, Haziri e ka quajtur të papranueshme qasjen e Kurtit dhe ka rikujtuar se në të kaluarën, Kuvendi dhe opozita kanë votuar edhe burra edhe gra në pozitat më të larta të shtetit, por gjithmonë në bazë të marrëveshjes politike dhe konsensusit institucional.
“Kemi votuar Presidentë dy herë, por me marrëveshje e për Republikën, që kishte besim e shpresë te populli. Kemi votuar pa kushte e kërkesa politike, edhe pse votuesit nuk e pëlqenin, por Republika duhet të ecte para,” shkruan Haziri.
Ai ka kritikuar ashpër tentativat për, siç i quan ai, kontabandim politik përmes veprimeve të njëanshme dhe mungesës së transparencës në proceset vendimmarrëse.
“Tash, për agjenda të fshehura e veprime të njëanshme, nuk votohet as për Kuvend e as për Qeveri. As për grua e as për burrë, por për përfaqësues që dalin nga marrëveshjet e veprimet politike, që nuk bartin njollën e kontabandës politike, por të meritës politike.”
Në fund të reagimit të tij, Haziri thekson se zgjidhja e situatës aktuale politike qëndron në duart e atyre që, sipas tij, e kanë futur vendin në bllokadë, duke nënkuptuar Kurtin dhe partinë në pushtet.
“Ai që kundërshtoi gjithçka në këtë Republikë, e di më së miri ta kuptojë kundërshtimin politik dhe e ka në dorë zgjidhjen e bllokadës. Republika, mbi të gjitha!”
Ky përplasje vjen në një moment të tensionuar politik, me Kuvendin që gjendet në krizë funksionale pas dështimeve të njëpasnjëshme për të zgjedhur udhëheqësinë e re. Opozita kërkon marrëveshje paraprake dhe garanci politike, ndërsa Qeveria në largim insiston që të votohen propozimet e tyre dhe të shmanget, siç thonë ata, stagnimin institucional.