Tetë personat e arrestuar të premten nga Antitrafiku i Tiranës prej një periudhe të gjatë ishin të përfshirë në trafikun e armëve të zjarrit kryesisht të pistoletave.
Roli i tyre në këtë skemë kriminale u zbulua nga mesazhet e dërguara nga disa prej të arrestuarve në muajin dhjetor, të cilët u goditën në një operacion të përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Atë kohë, u lëshuan 14 urdhëra arresti, nga të cilët 8 ishin shtetas nga Kosova dhe 6 nga Shqipëria.
Nga zbërthimi i një prej celularëve që sekuestroi policia e Tiranës u zbulua një mesazh që tregonte për përfshirjen e personave të tjerë nga vendi ynë në trafik.
Pas hetimeve 5 mujore Antitrafiku arriti në dokumentimin e provave që tregojnë se 8 personat e arrestuar së fundmi ishin të lidhur me trafikun e pistoletave dhe muncioneve luftarake.
Armët ishin të gjitha modele të reja europiane.
Pistoletat kryesisht kalonin kufirin nga vendet e BE drejt vendit tonë me makina të rastit duke u fshehur në pjesën e motorit, ose me autobusë ku vendoseshin në valixhe apo vende të tjera.
Pistoletat e kapura shiteshin në Tiranë, Shkodër si dhe në qytete të tjera me çmime që varionin nga 1500 deri në 2500 euro.
Nëse pistoletat shiteshin me silenciator, çmimi shkonte deri në 3000 euro./vplus