Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të ndodhur të premten, më 30 maj 2025, në pikën kufitare të Vërmicës, ku janë konfiskuar 21 sfera metalike të plumbit nga një veturë që po hynte nga Shqipëria në territorin e Kosovës.
Sipas raportit 24-orësh të policisë, automjeti, me targa të huaja, drejtohej nga një shtetas kosovar. Gjatë kontrollit rutinë të kryer nga zyrtarët policorë në bashkëpunim me oficerët doganorë, janë gjetur dhe sekuestruar sferat e dyshimta, të cilat dyshohet se ishin transportuar për t’u dërguar në një fabrikë në Spanjë për qëllime vlerësimi dhe përdorim në një projekt biznesor.
Lidhur me rastin, policia ka kontaktuar prokurorin kompetent dhe është vendosur që rasti të procedohet në procedurë të rregullt. Ndërkohë, i dyshuari është liruar në pritje të hetimeve të mëtejme.
Policia e Kosovës vazhdon të jetë vigjilente ndaj rasteve të ngjashme që mund të cenojnë sigurinë ose të përfshijnë transport të materialeve të ndjeshme pa dokumentacion përkatës.