Imagjinoni sikur poeti i madh satirik shqiptar, Ali Asllani, të jetonte sot në Kosovë. Si do t’i përshkruante ai skenat e drekave dhe darkave luksoze me paratë e taksapaguesve, apo siç i quan autori i shkrimit, Zafir Berisha “paratë e popullit”, të cilat shpesh i shoqërojnë zyrtarët qeveritarë, përfshirë edhe kryeministrin Albin Kurti dhe “lakejtë e tij”?
Sipas Zafir Berishes, me siguri, “Hakërrimi” i tij i famshëm do të merrte një frymë tjetër, një frymë që jehon nga Prishtina e deri në Prizren. Vargjet e tij therëse, dikur të drejtuara ndaj klasës politike të kohës së tij, do të kishin po të njëjtën forcë, ndoshta edhe më të madhe, në kontekstin e sotëm të Kosovës.
Nuk do të fillonte me Korçën apo Shkodrën, por me:
“Që nga Prishtina gjer te Prizreni mbretëron një errësirë,
nëpër fusha, nëpër kodra, vërshëllen një egërsirë.”
Dhe më pas, me sarkazmin e tij të njohur, do të përshkruante shthurjen dhe babëzinë, duke akuzuar ata që abuzojnë me pushtetin për pasurim personal:
“…o burra, hani, pini, hani, pini or’ e ças,
Për çakallin, nat’ e errët, është ras’ e deli ras’!
Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,
të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!
Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,
gjersa populli bujar t’ju përgjigjet: peqe, lepe!
Hani, pini dhe rrëmbeni, është koha e çakenjve;
hani, pini e rrëmbeni, ësht’ bot e maskarenjve.”
Këto vargje, të sjella në vëmendje nga Zafa, shërbejnë si një reflektim i hidhur mbi perceptimin e publikut për sjelljen e një pjese të klasës politike. Ato ngrenë pyetje të rëndësishme mbi integritetin, përgjegjshmërinë dhe transparencën e qeverisjes, duke lënë të kuptohet se ndjenjat e popullit ndaj abuzimit me pushtetin mbeten të njëjta, pavarësisht kohës dhe vendit.