Rizvanolli: KEK-u ka nisur furnizimin me energji për ndërmarrjet në tregun e lirë

by Nexhat

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka bërë të ditur se nga sot, më 1 qershor, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka filluar të furnizojë me energji ndërmarrjet që operojnë në tregun e lirë, por që ende nuk kanë arritur të lidhin kontrata me furnizues të tjerë.

KEK tashmë vepron në cilësinë e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit (FMF).

banner

Sipas njoftimit të KEK-ut, energjia për këto ndërmarrje për ditën e sotme është siguruar me një çmim mesatar prej 64.55 euro për megavat orë (€/MWh), përmes Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX).

Ministrja Rizvanolli u ka bërë thirrje të gjitha ndërmarrjeve të cilat kanë kaluar në treg të lirë që, brenda afateve ligjore, të nënshkruajnë marrëveshje furnizimi me KEK-un si FMF, ose të zgjedhin furnizues alternativ sipas preferencës së tyre

“KEK është në dispozicion për të ofruar të gjitha informacionet e nevojshme për furnizimin përmes këtij mekanizmi,” ka theksuar Rizvanolli, duke shtuar se pret nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) të monitorojë tregun me përpikëri dhe të ndihmojë në lehtësimin e tranzicionit për të gjitha palët e përfshira.

Qeveria e Republikës së Kosovës, tha Rizvanolli, mbetet e përkushtuar për të ndihmuar ndërmarrjet që tashmë kanë kaluar në tregun e lirë që të gjejnë zgjidhjet më të favorshme për nevojat e tyre energjetike.

“Sa më shpejt që ndërmarrjet të kenë qasje në informata të sakta, aq më i shpejtë dhe më i lehtë do të jetë tranzicioni për to,” përfundoi ministrja në detyrë

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy