E ftuar në NOW në Euronews Albania, gazetarja Aida Topalli ka dhënë detaje në lidhje me vrasjen brenda oborrit të shtëpisë së tij të një 57-vjeçari në Tale të Lezhës
Viktima është identifikuar si Pjetër Kaza ndërsa familjarët e gjetën trupin të qëlluar me armë zjarri brenda mjetit të tij, të cilin po e parkonte në oborrin e banesës
Ajo tha se krimi dyshohet se vjen nga saga e gjakmarrjes dhe renditi në mënyrë kronologjike historinë fillestare të konfliktit mes pjesëtarëve të fisit Kaza dhe Gjini.
Gazetarja tregoi ngjarjen e vitit 1994, kur mbeti i vrarë shefi i krimeve të policisë së Rrëshenit, Ndue Kaza, dhe shpjegoi me detaje sagën e hakmarrjes që lindi pas kësaj vrasjeje, ku kanë mbetur të vrarë pjesëtarë nga fisi Kaza dhe vëllezërit Gjini.
“Rikthemi pas në kohë në vitin 1994, atëherë kur mbeti i vrarë shefi i krimeve i komisariatit të policisë së Rrëshenit, Ndue Kaza, me origjinë nga Oroshi i Mirditës, por zbritur në Tale të Lezhës së bashku me familjen. Ndue Kaza u vra në qendër të Rrëshenit në vitin 1994, pas një konflikti që ndodhi disa ditë më parë në Tale të Lezhës për shkak të një magazine. Në Tale jetonin edhe dy vëllezër, Dode dhe Agustin Gjini, të cilët po ashtu kishin zbritur në Tale për shkak të gjakmarrjes. Magazina, e cila nuk dihet në pronësi të kujt ishte, hapi një konflikt mes vëllezërve Gjini dhe efektivit Ndue Kaza. Dosja e tij ende vazhdon të jetë e pazbardhur në Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm të Lezhës. Në të njëjtën magazinë ku lindi konflikti, mbeti i vrarë edhe një roje, po në vitin 1994, ndërsa më pas u vra edhe Ndue Kaza, i cili sipas dosjes së prokurorisë hyri për të shuar konfliktin dhe nuk dihet nëse magazina ishte në pronësi të fisit Kaza dhe fisi Gjini donte ta merrte, apo në pronësi të një familjeje tjetër që ndërhyri. Pas vrasjes së Ndues, Martin Kaza, vëllai i tij, vrau në zonën e Laçit dy vëllezër të dyshuar si vrasës të vëllait të tij, Dode dhe Agustin Gjini, duke hapur kështu një sagë të gjatë gjakmarrjeje. Ndërkohë, pasi kishin kaluar rreth 30 vite, në vitin 2024 u vra në Belgjikë Agustin Kaza, djali i xhaxhait të Ndues dhe Martin Kazës, i cili ishte ekstraduar nga Londra pasi ishte shpallur në kërkim për vrasjen e vëllezërve Gjini. Ai vazhdon të vuajë dënimin me 22 vite burg për vrasjen e vëllezërve Gjini. Siç po thoja, në vitin 2024 mbeti i vrarë Agustin Kaza në një ngjarje që u publikua edhe nga mediat belge. Ai ndodhej në ballkonin e një kafeneje në një qytet të Belgjikës dhe u qëllua me të paktën 4 plumba. Qëndroi disa kohë në koma, ndërkohë që u publikua edhe video e ekzekutimit të tij, dhe më pas humbi jetën,” tha gazetarja Aida Topalli