Drejtori i Klubit të Biznesit, Ilir Ibrahimi ka ndarë shqetësimin e tij për situatën ekonomike në vend, që sipas tij po godet themeluesit e bizneseve në Kosovë.
Ai thekson se nuk flet si përfaqësues i ndonjë shoqate biznesi, por si mik dhe si dëshmitar i një dhembjeje që po prek një shtresë të tërë të shoqërisë.
“Rrallë më ka rastisur të mbetëm pa fjalë dhe të mos gjej asnjë shprehje ngushëllimi kur një mik të merr në telefon dhe të thotë se sot e mbylli fabrikën”, shprehet Ibrahimi, duke nënvizuar se shumë prej atyre që kanë kontribuuar në ngritjen e ekonomisë vendore sot ndihen të zhgënjyer dhe të braktisur.
Ibrahimi thekson se shkaku i kësaj gjendjeje nuk është konkurrenca e jashtme apo ndonjë fatkeqësi natyrore, por “vendimi i shtetit të tyre – vendimi i atyre që duhej t’i mbronin – që po ua shuan motivin për të jetuar e punuar këtu.”
Sipas Ibrahimit, ky nuk është vetëm një moment i vështirë ekonomik, por një krizë më e thellë.
“Sot po mbyllen dyert e fabrikave që dikur gumëzhinin nga puna. Jo për shkak të dështimit, jo për mungesë vizioni apo për mungesë përkushtimi – por për shkak të një vendimi të paarsyeshëm, të marrë në zyrat e ftohta të pushtetit, larg realitetit të biznesit dhe larg njerëzve që mbajnë gjallë këtë vend. Kjo nuk është vetëm krizë ekonomike. Kjo është krizë e ndërgjegjes”, ka shkruar Ibrahimi.
Ai shton se aty ku dikur kishte shpresë, sot ka heshtje.
“Aty ku kishte prodhim, sot ka dry. Dhe më e dhimbshmja nga të gjitha – aty ku kishte marrëdhënie, besim, bashkëpunim – sot ka lot të fshehur dhe punëtorë që kthehen në shtëpi me duar bosh”, u shpreh Ibrahim.
Ibrahimi ka bërë thirrje për veprime duke shtuar “Zgjohu Kosovë. Sepse ata që po largohen sot, janë po ata që na mbajtën në këmbë dje. Dhe pa ta, nesër mbetemi bosh.”