Shefja e Shërbimit Informativ të Shtetit në Shqipëri, kosovarja Vlora Hyseni, ka zhvilluar një vizitë të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mes të muajit maj.
SHISH njoftoi së fundmi për vizitën zyrtare në Washington të Hysenit, e cila u takua atje me drejtues dhe zyrtarë të lartë të Zyrës së Inteligjencës Kombëtare të SHBA (ODNI), të Departamentit të Shtetit dhe Agjencisë Qëndrore të Inteligjencës (CIA), në kuadër të “bashkëpunimit dypalësh dhe partneritetit strategjik”, siç u tha në njoftim.
Me shefin e CIA, John Ratcliffe, Vlora Hyseni ka diskutuar “një sërë çështjesh të bashkëpunimit dypalësh”. Ata, siç njoftoi SHISH, kanë theksuar partneritetin e “shkëlqyer me SHISH në interes të identifikimit dhe parandalimit të kërcënimeve të përbashkëta”.

Ata kanë folur edhe për situatën rajonale dhe ndërkombëtare të sigurisë.
“U shkëmbyen vlerësime mbi situatën e sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare, u diskutua mbi thellimin e bashkëpunimit, si dhe rritjen e kapaciteteve të inteligjencës”, thuhet në njoftimin e SHISH-it.
Kjo vizitë, siç u tha në njoftim, “dëshmon përkushtimin e agjencive respektive për të mbështetur me inteligjencë cilësore dhe paralajmëruese autoritetet e vendimmarrjes strategjike të dy vendeve, për të garantuar sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare”.
Hyseni është takuar edhe me Tulsi Gabbard, drejtoreshën e Inteligjencës Kombëtare të SHBA. Në këtë takim, SHISH-i tha se “u diskutuan çështje të bashkëpunimit dhe sfidat në fushën e inteligjencës e sigurisë, me interes për sigurinë kombëtare të dy vendeve”.
“U shkëmbyen vlerësime mbi zhvillimet me impakt në sigurinë rajonale e ndërkombëtare, angazhimin konstruktiv e konkret për sigurinë kolektive, duke konsideruar SHISH si partner të besueshëm dhe Shqipërinë si faktor stabiliteti në rajon”, thuhet në njoftimin e shërbimit inteligjent shqiptar.
Vlora Hyseni ka qenë zëvendësdrejtore e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) deri në vitin 2021, kur u shkarkua me vendim të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani. Arsyet nuk u bënë të ditura asnjëherë.