Labinot Gjini: “Veprimet e Albin Kurtit janë anti-Kosovë”

by engel

Labinot Gjini, anëtar i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka reaguar ashpër ndaj sjelljes politike të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke e akuzuar atë për veprime që, sipas tij, dëmtojnë drejtpërdrejt funksionimin institucional të shtetit të Kosovës.

Në një intervistë për emisionin “60 Minuta” në KTV, Gjini ka deklaruar se Kurti po e pamundëson zgjidhjen e krizës politike, me qëllim, siç u shpreh ai, për të diskredituar Kosovën dhe për të përçarë sistemin institucional të vendit. “Qëllimi i Kurtit ka qenë që ta diskreditojë këtë vend dhe këto institucione. Sjelljet e tij kanë qenë anti-Kosovë, antikombëtare dhe tërësisht të dëmshme për legjitimitetin e sistemit demokratik,” u shpreh Gjini.

banner

Ai kritikoi ashpër edhe kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiun, duke e konsideruar si një figurë thellësisht polarizuese për skenën politike. “Është grua që e ka përçarë sferën politike. Ka luajtur rol kyç në polarizimin politik dhe vazhdon ta bëjë edhe si kandidate për kryetare të Kuvendit,” theksoi Gjini.

Sipas tij, qëllimi i VV-së është që përmes një votimi të fshehtë, të sigurojë mbështetjen e Listës Serbe, duke e paraqitur këtë mbështetje si votë opozitare. Ai e cilësoi këtë si një “bllokadë të qëllimshme e të vazhdueshme nga Kurti”, që po e çon vendin në një krizë të thellë politike.

Gjini propozoi që si zgjidhje e ngërçit institucional, Vetëvendosje të tërheqë kandidaturën e Haxhiut dhe të propozojë një figurë tjetër si Glauk Konjufca. Ai gjithashtu la të hapur mundësinë që Gjykata Kushtetuese të ndërhyjë për të ofruar një interpretim që do të mundësonte daljen nga bllokada.

“Kurti është ai që po e bllokon situatën. Ai dhe Haxhiu kanë qenë zërat kryesorë kundër sistemit të drejtësisë gjatë katër viteve të fundit, duke cenuar besueshmërinë e institucioneve tona,” shtoi Gjini, duke theksuar nevojën për largimin e Haxhiut pas disa dështimeve të njëpasnjëshme për zgjedhjen e saj në krye të Kuvendit.

Në fund, Gjini e quajti këtë situatë “lojë absurde” që nuk i shërben askujt dhe rrezikon ta thellojë më tej krizën politike në vend. Ai kërkoi reflektim dhe përgjegjësi politike nga Lëvizja Vetëvendosje, në mënyrë që institucionet të funksionojnë dhe vendi të mos mbetet peng i interesave të ngushta partiake.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy