Më 20 vota pro, 21 kundër, asnjë abstenim, nuk ka kaluar në Kuvendin Komunal të Prishtinës propozim-vendimi i Lidhjes Demokratike për subvencionimin e pagave të punonjësve të Ndërmarrjes “Pastrimi” në vlerë prej 300 mijë euro.
Këtë propozim para asamblistëve e ka bërë shefja e asamblistëve të LDK-së, Jeta Rafuna
“Duke pasë parasysh që punëtorët janë më të pafajshmit dhe padrejtësisht po qëndrojnë sot në grevë para Komunës së Prishtinës, ne si grup i asamblistëve të LDK-së propozojmë që Ndërmarrja “Pastrimi” të subvencionohet me 300 mijë euro, të cilat do të dedikohen për paga për punëtorët. Lus asamblistët të votojnë këtë propozim- vendim”- ka deklaruar ajo.
Kundër këtij propozim-vendimi janë shprehur nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.
Shefi i asamblistëve të LVV-së, Gëzim Sveçla, ka thënë se ky propozim është “lojë politike e Përparim Ramës” dhe sipas tij subvencionimet e pagave janë të jashtëligjshme.
“Vazhdojmë të qëndrojmë ashtu siç kemi thënë, nuk ka subvencionim të pagave, lojë politike e Përparim Ramës ndaj punëtorëve të “Pastrimit”, dhe ndaj qytetarëve të Prishtinës. Mbi 300 mijë euro janë vlera e faturave të inkasuara nga Komuna jashtëligjshëm, para që Komuna ia ka marrë Ndërmarrjes në kundërshtim me çdo ligj dhe mjafton që këto para t’i kthehen Ndërmarrjes. Nuk ka nevojë për subvencionim të pagave, sepse subvencionimet e pagave janë të jashtëligjshme”- tha Sveçla.
Kurse, kreu i asamblistëve të PDK-së, Leutrim Retkoceri, ka thënë se nuk ka nevojë të subvencionohet paga dhe të tentohet të blihet paqe me punëtorë për pak ditë.
“Ne mendojmë që këtu duhet të subvencionohen obligimet dhe borxhet që janë dhe nuk ka nevojë të subvencionohet paga dhe të tentohet të blihet paqe me punëtorë për pak ditë. Kompania është fakt kushdo që ka jetu në Prishtinë ka kry shërbime për 5 muaj pa pagesë pas një vendimi që kanë nxjerrë Shërbimet Publike dhe drejtori me dy pozita të saj, dhe qytetarët kanë qenë në huti për të cilën përgjegjëse është ekzekutivi”- theksoi Retkoceri, raporton Kallxo.
Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate ishin dy partitë që u deklaruan pro propozim-vendimit të LDK-së.
Bahri Gashi nga AAK-ja tha se e përkrahin “çdo zgjidhje pozitive që është në të mirën e punëtorëve”.
“Ne e përkrahim këtë pikë, e përkrahim çdo zgjidhje pozitive që është në të mirën e punëtorëve por edhe të ndërmarrjes. Nëse kanë mendu 300 mijë, besoj që ato mjaftojnë për çka është destinacioni dhe besoj që edhe hapat e tjerë do të jenë të rëndësishëm porsi ky hap”- tha Gashi.
Edhe Endrit Zabërgja nga Nisma Socialdemokrate deklaroi se do të votojë pro subvencionimit.
“Ne do të votojmë pro subvencionimit. Kjo pikë ka qenë e propozuar edhe disa ditë para se të krijohej kaosi i fundit në kryeqytet andaj besoj se duke i deleguar këto mjete do t’i ndihmojmë punëtorët në veçanti dhe vetëm për punëtorët do të votojmë në mënyrë që t’u lehtësohen kushtet e veprimit punëtorëve dhe Ndërmarrjes”- ka thënë ai.
Punëtorë të Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi” kanë nisur grevën më 22.05.2025 me kërkesa për kushte më të mira pune dhe paga më të larta.
Kurse si reagim Komuna përmes një komunikate për media njoftoi se tashmë kanë nënshkruar kontratën 1.5-milionëshe për vazhdimin e punës së KRM “Pastrimi” dhe se presin të njëjtën nga ana e Kompanisë.
Më ndërprerjen e shërbimeve të Kompanisë “Pastrimi” në territorin e Prishtinës javë më parë gjendja me menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet u përkeqësua.
Ndërmarrja publike “Pastrimi” pretendon se për shkak të borxhit prej 2.7 milionë euro që Komuna e Prishtinës ka ndaj kësaj kompanie janë detyruar të ndërpresin shërbimet si pasojë e mungesës së naftës për kamionë.
Për këtë ata kanë deklaruar se po rrezikohen edhe pagat e punëtorëve të kësaj Ndërmarrjeje