Osmani: “Kurrë më” do të thotë të refuzosh armët dhe të zgjedhësh dialogun

by Nexhat

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, hapi edicionin e tretë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, duke vënë në pah rolin thelbësor të grave dhe fëmijëve në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes dhe duke e konsideruar këtë forum si një thirrje për veprim global në kohëra të pasigurta.

Presidentja Osmani tha se nuk ka asgjë më të vlefshme sesa të luftosh për paqe, pasi sipas saj, paqja është themeli i gjithçkaje për të cilën përpiqen.

banner

“Një hap vizionar përpara që njohu faktin se ne në Kosovë gjithmonë kemi ditur se paqja nuk mund të mbahet pa udhëheqjen, mençurinë dhe qëndrueshmërinë e grave. Por dy dekada e gjysmë më vonë, bota ende po lufton, ende po lufton që këto parime të bëhen realitet. Zonja dhe zotërinj, pak më shumë se dy dekada më parë, fëmijët e këtij vendi panë tmerrin që asnjë fëmijë nuk duhet ta përjetojë dhe nënat i humbën dhe i varrosën fëmijët e tyre si pasojë e luftës. E megjithatë, në orët më të errëta, ishin gratë e këtij vendi ato që na mbajtën zemrat e thyera të bashkuara”, tha ajo.

Ajo kujtoi fuqinë dhe qëndresën e grave të Kosovës gjatë dhe pas luftës, duke theksuar se ato nuk pranuan të shiheshin si viktima, por si ndërtuese të paqes, të lirisë dhe të një të ardhme më të drejtë.

“Është një thirrje. Një thirrje për të ndërprerë ciklet e dhunës. Një thirrje për të ndërtuar një paqe që nuk është pasive, por dinamike, guximtare, përfaqësuese dhe e drejtë. Një paqe që duhet të shndërrohet në imperativin e kohës sonë. Një paqe që e vendos sigurinë e fëmijëve në qendër të angazhimit tonë. Sepse paqja nuk është thjesht ajo që ndodh kur pushon zjarri. Paqja është fillimi i transformimit”, tha ajo.

Presidentja foli edhe për mjedisin gjithnjë e më të ndërlikuar të sigurisë globale, për sfidat që vijnë nga luftërat tradicionale, sulmet kibernetike dhe propaganda, ndërsa nënvizoi se viktimat kryesore mbeten gratë, fëmijët dhe të zhvendosurit.

“Ajo që luftërat shpesh lënë pas vetes dhe për të cilën flasim shumë rrallë, është dëmi ndërbreznor. Ajo dhimbje që zgjat më shumë se traktatet e paqes… janë fëmijët ata që e bartin barrën e luftës në moshën e rritur. Por fëmijët nuk janë vetëm viktima. Ata janë gjithashtu ndërtues të ardhshëm të paqes, presidentë të ardhshëm, mbrojtës të drejtësisë”, tha ajo.

Presidentja Osmani theksoi se Forumi ekziston për të ngritur zërat që lufta u përpoq t’i heshtte, për të fuqizuar ata që refuzuan të thyhen dhe për të ndërtuar të ardhme përkundër dhimbjes.

“Kosova qëndron sot këtu jo si një model i përkryer, por si një dëshmi e gjallë e asaj që është e mundur kur paqja është e pranishme. Ne u ngritëm nga hiri. Ne e shndërruam traumën në politika. E shndërruam dhunën në forcë”, tha ajo.

Në mbyllje, Presidentja dha një mesazh mbi nevojën për një angazhim të sinqertë dhe të qëndrueshëm për paqe.

“Dhe ‘kurrë më’ do të bëhet më shumë se një moto, vetëm kur ‘kurrë më’ do të thotë të refuzosh armët si zgjidhje dhe të zgjedhësh dialogun… Sepse fëmijët tanë e meritojnë. Sepse të gjithë fëmijët në botë e meritojnë. Ata meritojnë të kenë një fëmijëri që jetohet, jo që u vidhet. Ata meritojnë të rriten, të ëndërrojnë dhe të lulëzojnë… Sepse nuk ka asgjë më të vlefshme sesa të luftosh për paqe. Sepse paqja është themeli i gjithçkaje për të cilën përpiqemi”, tha ajo.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy