Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ka shprehur sërish qëndrimin e tij të vendosur kundër dhunës në Rripin e Gazës, duke e cilësuar situatën atje si një akt barbar dhe gjenocid ndaj popullit palestinez.
Gjatë një fjalimi në hapjen e një spitali në qytetin Melilla, ai nënvizoi nevojën urgjente për t’i dhënë fund këtij konflikti për hir të vlerave më të larta njerëzore.
“Barbarizmi në Gaza duhet të marrë fund për njerëzimin, për solidaritetin dhe për drejtësinë,” u shpreh Sanchez me tone të forta, duke dënuar veprimet izraelite që kanë shkaktuar humbje masive në mesin e civilëve dhe punonjësve të shëndetësisë.
Ai vlerësoi guximin e mjekëve dhe infermierëve palestinezë, të cilët, sipas tij, “nuk i braktisën pacientët e tyre edhe në momentet më të errëta”. Kryeministri përmendi spitalin e fundit funksional në veri të Gazës që vazhdoi punën nën rrezik të madh, vetëm falë përkushtimit të jashtëzakonshëm të stafit mjekësor.
Duke theksuar afërsinë kulturore dhe gjeografike me popullin palestinez – “ndajmë të njëjtin det, Mesdheun” – Sanchez bëri thirrje për një solidaritet më të madh ndërkombëtar që të ruhet dinjiteti njerëzor dhe të arrihet paqja.
Ai gjithashtu u ndal te mesazhi i fuqishëm i Papa Leone XIV, i cili javën e kaluar kishte bërë një apel të ngjashëm, duke e quajtur situatën në Gaza si “barbarizëm që duhet ndalur për hir të ndershmërisë dhe drejtësisë”.
Fjalimi i Sanchez vjen në një kohë kur komuniteti ndërkombëtar po përballet me presion në rritje për të ndërmarrë veprime konkrete ndaj krizës humanitare në Palestinë.