Peter Sorensen takon Besnik Bislimin në Bruksel: Së shpejti pritet takim trepalësh në kuadër të dialogut Kosovë–Serbi

by engel

Bruksel, 2 qershor 2025 — Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, ka zhvilluar një takim me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, në kuadër të përgatitjeve për një takim trepalësh që pritet të mbahet së shpejti në Bruksel.

Përmes një postimi në platformën “X” (ish-Twitter), Sorensen njoftoi se me Bislimin ka diskutuar për një sërë temash që lidhen me procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, duke theksuar përkushtimin e BE-së për të avancuar dialogun.

banner

“Prita kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, në një takim në përgatitje të një takimi trepalësh në dialog sot në Bruksel. Diskutuam për një gamë të gjerë çështjesh të rëndësishme për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Planifikojmë të organizojmë së shpejti një takim trepalësh,” shkroi Sorensen.

Nga ana tjetër, Bislimi, në një deklaratë për media pas takimit, ka sqaruar se një takim trepalësh ishte planifikuar fillimisht për të hënën, por nuk u realizua për shkak të problemeve logjistike me delegacionin serb.

“Ka qenë i paraparë edhe një trilateral, por ky nuk ka mundur të ndodhë për shkak se kanë ndodh komplikime me ekipin e Serbisë, i cili nuk ka arrit në Bruksel për shkak të vonesave në Vjenë apo diçka të ngjashme,” deklaroi Bislimi.

Kjo fazë e re e komunikimit në dialogun Kosovë–Serbi vjen në një moment kritik për marrëdhëniet mes dy vendeve, me BE-në që po shton përpjekjet për të rigjallëruar procesin pas një periudhe të gjatë tensioni dhe stagnimi.

Takimi trepalësh i paralajmëruar pritet të adresojë çështje kyçe që kanë mbetur pezull në zbatimin e marrëveshjeve të mëhershme, përfshirë aspektet politike, ekonomike dhe të sigurisë. Bashkimi Evropian shpreson që palët të tregojnë gatishmëri për kompromis dhe angazhim të sinqertë drejt një marrëveshjeje të qëndrueshme.

Dialogu i lehtësuar nga BE-ja konsiderohet si një komponent thelbësor për rrugëtimin evropian të të dyja vendeve, ndërsa sfidat që e shoqërojnë mbeten të shumta, përfshirë mungesën e besimit reciprok dhe tensionet në terren.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy