Burim Ramadani, një njohës i çështjeve të sigurisë, ish kryeinspektor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, e ka pyetur zëvendëskryeministrin në detyrë të Kosovës, Besnik Bislimi se çfarë përfaqëson ai në dialog.
Ai tha se zëvendësi i Albin Kurtit nuk ka “legjitimitet politik e qytetar”.
“Besnik Bislimi, çka përfaqëson ti në Dialog me Serbinë? Nuk ke legjitimitet politik e qytetar. Qeveria ka përfunduar mandatin (siç e ka përsëritur shumë herë z. Kurti kur janë certifikuar rezultatet e zgjedhjeve)”, shkroi Ramadani në një postim në Facebook.
“Ti as nuk ke garuar për deputet. Asnjë votë nuk e ke dhe aktualisht shërben në një strukturë që e ka përfunduar mandatin. Apo, siç ju referohet BE—ja “outgoing Government”. Dmth Qeveri në largim. Për çfarë po shkon në dialog? Çfarë obligimesh ke(ni)?”, pyeti Ramadani.
“Rri në Prishtinë zotëri ose shëtit kah të duash (çështje e jotja!), por mos shko në emër të Kosovës në dialog me Serbinë! S’ke as legjitimitet e as legalitet. Thjesht, nuk mund të flasësh në emër të Kosovës!”, shkroi ai