Pas dështimit të përpjekjes së 25-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar me një thirrje të qartë për reflektim, drejtuar Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), duke kërkuar përgjegjësi dhe vullnet për zhbllokimin e situatës aktuale politike.
“Edhe njëherë bëjmë ftesë për reflektim. Kosova është më e madhe se sa secili prej nesh veç e veç,” deklaroi Çitaku para gazetarëve, pas përfundimit të një tjetër seance pa rezultat në Kuvendin e Kosovës.
Deputetja e PDK-së paralajmëroi për pasojat serioze që po sjell zvarritja e konstituimit të institucioneve, duke veçuar rrezikun që po i kanoset ekonomisë së vendit dhe mirëqenies së mijëra qytetarëve. Sipas saj, kriza politike nuk është më vetëm çështje e betejave partiake, por një kërcënim real për stabilitetin ekonomik dhe social.
“Ekonomia kosovare po dëmtohet dhe po rrezikohet. Janë 140 mijë punëtorë që ndihen të pasigurt, janë familjet tona që po përballen me pasiguri çdo ditë, ndërkohë që institucionet mbesin të bllokuara për shkak të grupit të parë parlamentar,” shtoi ajo, duke fajësuar Vetëvendosjen për mungesën e gatishmërisë për marrëveshje dhe lëshime në funksion të interesit të përbashkët.
Çitaku theksoi se vendi nuk mund të lejojë më gjatë këtë gjendje të pasigurisë dhe stagnimit institucional, duke apeluar për ndërgjegjësim politik dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve.