Ish-deputeti Visar Ymeri ka komentuar situatën e krijuar pas zgjedhjeve në Kosovë dhe bllokadën e zgjatur në formimin e qeverisë. Ai ka vlerësuar se tërheqja e faktorit ndërkombëtar nga përpjekjet për zgjidhjen e krizës politike është reflektim i sjelljes së Qeverisë Kurti ndaj partnerëve ndërkombëtarë.
Sipas Ymerit, i ftuar në emisionin Debat Plus, kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe Vetevendosja duhet të reflektojnë më shumë përgjegjësi politike dhe të ndalin qasjen moralizuese ndaj kundërshtarëve
Ymeri ka theksuar dy arsye kryesore që, sipas tij, ndikojnë në bllokadën aktuale institucionale në Kosovë: urgjenca për formimin e institucioneve për shkak të dialogut Kosovë–Serbi dhe rezervat e ambasadorëve ndërkombëtarë për të bashkëpunuar me një qeveri të udhëhequr nga Albin Kurti.
“Janë dy natyra: e para urgjenca për themelimin e institucioneve, e veçanërisht të koalicioneve, shpesh kanë qenë të ndërlidhura me dialogun. Dhe e dyta – në Kosovë me gjasë një pjesë e konsiderueshme e ambasadorëve nuk duan bashkëpunim me një qeveri kur udhëhiqet nga një person që nuk kanë pasur bashkëpunim të mirë. Kanë shije të keqe në bashkëpunim”, deklaroi Ymeri
Ai sugjeroi se kriza politike nuk është vetëm çështje numrash në Kuvend, por edhe pasojë e një raporti të brishtë me partnerët ndërkombëtarë,
“Kurti dhe të tjerët e Vetëvendosjes duhet me dalë me pranu para të tjerëve edhe me thanë se ‘po, edhe na jemi politikanë sikur të tjerët, kurgjë ndryshe nuk kemi…’ Ne nuk kemi zbritur nga qielli, nuk jemi të shenjtë dhe ndryshojmë sikur të tjerët”, u shpreh Ymeri.
Ai shtoi se Kurti, përkundër numrave në Kuvend, nuk ka arritur ta krijojë qeverinë as pas tre muajsh, duke lënë të kuptohet se problemi është ose mungesa e vullnetit, ose paaftësia për të ndërtuar koalicione politike.
“Kur ti zhveshesh nga aura e politikanit, ti vërehesh që nuk ki lidhje si politikan. Prej 57 deputetëve i duhen vetëm edhe 4–5 për të bërë qeverinë. Tri parti janë që nuk janë Vetëvendosje. Nuk është punë peshkimi”, shtoi ai
Ymeri kritikoi edhe raportet e dobësuara me ndërkombëtarët, duke përmendur qëndrimet përbuzëse të Qeverisë ndaj rekomandimeve të tyre gjatë viteve të fundit.
“Kemi refuzuar gjëra nga rekomandimet e tyre. Ne i kemi mëshuar shkelm dhe ju jeni naiv e nuk e kuptoni situatën – jemi shtet sovran. Tash Kurti po i thërret ndërkombëtarët”.
Ai përmendi edhe takimin e fundit të Kurtit me ambasadorët e QUINT-it, ku është diskutuar themelimi i qeverisë, si tregues i një qëndrimi të vonuar dhe të zbehtë nga partnerët ndërkombëtarë për çështjen