140 milionë euro barrë mbi komunat, Ibrahimi: Moszbatimi i aktgjykimit të Kushtetueses do të sjellë pasoja katastrofale

by Nexhat

Komunat e Kosovës po përballen me rreziqe të mëdha financiare si pasojë e moszbatimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese nr. KO79/23 nga Kuvendi i Kosovës.

Ky aktgjykim shpalli jokushtetues nenin 6, paragrafi 6 të Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, i cili përcaktonte një normë të papranueshme për punonjësit civilë.

banner

Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka thënë për Telegrafin se megjithëse Gjykata Kushtetuese kërkoi ndryshimin e këtij neni deri më 1 gusht 2024, Kuvendi nuk ka ndërmarrë asnjë veprim konkret për ta ndryshuar atë.

Ai tha se si pasojë, disa komuna kanë filluar të pranojnë vendime gjyqësore që i obligojnë për kompensime bazuar në një dispozitë tashmë të rrëzuar si jokushtetuese.

“Ky dëm buxhetor vjen përveç një barrë tjetër të rëndë financiare që tashmë rëndon mbi komunat për shkak të zbatimit të vendimeve që burojnë nga kontrata kolektive në sektorin publik, me një kosto të vlerësuar mbi 140 milionë euro në komunat tona”, tha Ibrahimi.

Ibrahimi shtoi se nëse vazhdon kjo qasje e papërgjegjshme nga institucionet qendrore, komunat rrezikojnë të përballen me pasoja të dyfishta.

“Nga njëra anë, me implikime financiare të paarsyeshme nga një dispozitë ligjore jokushtetuese për të cilën ato nuk kanë asnjë përgjegjësi; dhe nga ana tjetër, me barrën akumulative të detyrimeve nga kontratat kolektive që po përthithin një pjesë të konsiderueshme të buxheteve lokale. Ky zhvillim mund të ndikojë direkt në aftësinë e komunave për të realizuar investimet kapitale, për të ofruar shërbime cilësore për qytetarët dhe për të ruajtur stabilitetin buxhetor”,u shpreh kryetari i AKK-së.

Për të shmangur këto pasoja, Ibrahimi tha se është e domosdoshme që të ndërmerren qëndrime institucionale të unifikuara kundër këtij diskriminimi financiar dhe të kërkohet me forcë që përgjegjësitë të mbeten aty ku ligjërisht dhe kushtetueshëm u takojnë, pra në nivelin qendror

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy