Çështja e rinovimit të kontratës së Gianluigi Donnarumma me Paris Saint-Germain ka nisur të krijojë jo pak zhurmë, jo vetëm në Paris, por edhe në shumë zyra klubesh të mëdha europiane.
Portieri italian, i saposhpallur kampion i Champions League me PSG, ndonëse publikisht ka shprehur dëshirën për të qëndruar në “Parc des Princes”, nuk ka arritur ende një akord për vazhdimin e qëndrimit në kryeqytetin francez.
“Thuhen shumë gjëra, por e vërteta është se unë këtu ndihem mirë. Ndihem i vlerësuar nga të gjithë, jam me të vërtetë mirë, prioriteti im është të rinovoj kontratën me PSG”, deklaroi Donnarumma pak javë më parë.
Megjithatë, pas këtyre fjalëve të qeta dhe të sigurta, fshihet një situatë shumë më komplekse. Sipas mediave franceze, ngërçi që po zvarrit këto negociata lidhet me kërkesat financiare të portierit italian, të cilat nuk përputhen me strategjinë e re të PSG-së. Klubi ka ndryshuar qasje në mënyrën e ndërtimit të skuadrës dhe në filozofinë financiare: nuk ka më paga galaktike, por kontrata të bazuara mbi performancën, rezultate konkrete dhe kontributin në fushë.
Donnarumma, që aktualisht përfiton 10 milionë euro neto në sezon nga kontrata që firmosi në verën e vitit 2021, shihet si një figurë kyçe për të ardhmen, por drejtuesit e PSG-së nuk janë të gatshëm të ruajnë të njëjtin nivel page në kontratën e re. Oferta e fundit që i është bërë italianit është ndjeshëm më e ulët, çka ka krijuar një distancë të madhe mes palëve.
Kontrata aktuale e Donnarummas skadon në vitin 2026, ndaj PSG nuk është nën presion të menjëhershëm për rinovim, por paqartësia për të ardhmen po krijon hapësirë për skuadrat e mëdha europiane që po monitorojnë situatën nga afër. Manchester City, Bayern Munich dhe Real Madrid janë tre prej klubeve që kanë shfaqur interes konkret për shërbimet e 25-vjeçarit, duke ndjekur çdo zhvillim në distancë, të gatshëm të hyjnë në garë nëse PSG nuk arrin të bindë portierin për të vazhduar në Paris.
Për momentin, situata mbetet pezull dhe e paqartë. Donnarumma dëshiron të qëndrojë, PSG nuk dëshiron ta humbasë, por marrëveshja mbetet ende larg. Disa muaj vendimtarë priten për të ardhmen e një prej portierëve më të mirë në botë.