Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ka komentuar krizën institucionale që po vazhdon në Kuvendin e Kosovës si pasojë e pamundësisë për të zgjedhur kryetarin e ri të Kuvendit. Në emisionin “Pressing”, Deliu tha se kandidatja e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, është kandidatura më e refuzuar ndonjëherë.
Deputetja Deliu kritikoi ashpër qëndrimin e deputetit Albin Kurti, duke e cilësuar si gabim barrikadimin e tij me një emër të vetëm. Sipas saj, ndryshe nga qasja e VV-së në mandatet e kaluara, PDK ka treguar fleksibilitet dhe gatishmëri për kompromis.
“Kosova nuk ka pasë asnjëherë kandidat më të konfirmuar me votë kundër se sa zonja Haxhiu. Jane 25 seanca të mbajtura në Kuvend që është konfirmuar që është e pamjaftueshme pa një marrëveshje politike. Është gabim fatal që e kemi një barrikadim të Albin Kurtit me një emër të përveçëm. Ne kemi propozuar një kandidat. Kemi thënë që e votojmë një kandidat tjetër, por s’jemi barrikaduar me thënë ne nuk marrim pjesë në votim ose me bojkotu Kuvendin qysh ka ndodh në mandatet e kaluara nga Lëvizja Vetëvendosje”, tha Deliu