Drejtori ekzekutiv i Institutit Kosovar për Demokraci (KDI), Ismet Kryeziu, ka reaguar ashpër ndaj gjendjes së tanishme politike dhe ekonomike në vend, duke akuzuar qeverinë dhe institucionet e Kosovës për papërgjegjshmëri dhe egoizëm institucional. Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, Kryeziu ka ngritur alarmin për një degradim serioz të funksionimit shtetëror dhe demokracisë në Kosovë.
Në reagimin e tij, Kryeziu thekson se qytetarët janë të lodhur dhe pothuajse tërësisht të dorëzuar përballë një klase politike të papërgjegjshme, e cila, sipas tij, e ka reduktuar pushtetin në një treg pazari, duke anashkaluar nevojat e qytetarëve dhe duke mos ofruar zgjidhje konkrete për krizën.
“Institucionet janë të kapura nga interesa të ngushta individuale e partiake. Në vend të shërbejnë qytetarët, ato janë kthyer në platforma për pazare politike,” shkruan Kryeziu.
Ai shpreh shqetësimin se Kosova ndodhet në një pikë kritike: gati një vit pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, vendi ende nuk ka Kuvend dhe Qeveri funksionale, ndërsa afati për zgjedhjet lokale po afrohet. Sipas tij, ekziston rreziku real që vendi të mbetet pa qeverisje në të dy nivelet – lokal dhe qendror – duke e futur Kosovën në një gjendje paralize institucionale.
“Jemi përballë një krize të thellë të përfaqësimit, ku qytetari është lënë pa zë, ndërsa pushteti është shndërruar në qëllim për vete,” shkruan tutje Kryeziu, duke e quajtur situatën “një shtet në pauzë dhe jo funksional”.
Ai i bën thirrje aktorëve politikë që të ndalin spiralen e degradimit institucional dhe të rikthejnë përgjegjësinë, transparencën dhe përfaqësimin qytetar në qendër të veprimit politik.