Lëvizja Vetëvendosje është distancuar nga njëri prej të dyshuarve që u arrestua sot, më 03.06.2025, në operacionin policor të udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në lidhje me veprat penale – krim i organizuar, dhe – drogë.
Shaban Bahtiri është njëri nga të dyshuarit të arrestuar sot nga Policia me urdhër të Prokurorisë Speciale.
Përveç arrestimit, Bahtirit i janë sekuestruar të paktën 4 vetura dhe tri shtëpi/vila luksoze, të cilat i posedonte në lokacione të ndryshme në zonën e Prishtinës dhe të Ferizajt.
Një familjar i Bahtirit është në kërkim, edhe ai i dyshuar për pjesëmarrje në grupin i cili doli në pah pas hetimit disamujor nga aplikacioni “SkyCC”.KALLXO.com ka pranuar disa fotografi në të cilat shihet Shaban Bahtiri me disa personalitete të Lëvizjes Vetëvendosje, madje edhe në aktivitete të aktivistëve të kësaj partie politike.
Në një fotografi Shaban Bahtiri shihet me anëtarin e LVV-së në Komisionin Qendror Zgjedhor, Alban Krasniqin. Në një tjetër shihet me ish-deputetin dhe anëtarin e LVV-së, Adnan Rrustemin.Ndërsa, i dyshuari ka shumë postime në shenjë përkrahje për kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, e ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ndonëse aktiv në aktivitete të anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, kjo parti ka mohuar se Bahtiri ka ndonjë funksion të veçantë në këtë subjekt politik.
LVV nuk ka sqaruar nëse Bahtiri potencialisht mund të jetë financues.
“Jo, i apostrofuari nuk ka ndonjë funksion brenda Lëvizjes Vetëvendosje”- ka thënë shkurt për KALLXO.com, zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka.
Bahtiri doli si i dyshuar pas hetimeve qe u bënë nga Policia e Prokuroria Speciale në lidhje me “SkyCC”.
Nga ky aplikacion dolën të dhëna për grupe të cilat merren me shitblerje të kokainës e heroinës duke shfrytëzuar rrugët nga Turqia e Shqipëria.
Bahtiri i takon grupit të Prishtinës ndërsa një grup tjetër është në regjionin e Pejës.
Një operacion i Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë dhe PSRK-së ka rezultuar me shkatërrimin e një grupi të krimit të organizuar të trafikimit me narkotikë. 22 persona janë arrestuar në këtë operacion.
Personat janë arrestuar nën dyshimet për kryerjen e veprës penale – krim i organizuar, në lidhje me trafikimin e narkotikëve dhe pastrimit të parave. Veprat penale, të pandehurit dyshohen se i kanë kryer përmes aplikacionit “SkyECC”.
Aksioni është zhvilluar në rajonin e Prishtinës, Prizrenit, Pejës dhe Gjilanit.
Në aksion kanë marrë pjesë rreth 600 zyrtarë të Policisë së Kosovës, të cilët në mënyrë të koordinuar kanë asistuar në bastisjen e 47 lokacioneve dhe arrestimin e personave të dyshuar
Gjatë realizimit të urdhër-kontrollit në këto lokacione është gjetur dhe sekuestruar sasi e konsiderueshme e provave materiale, dhe pasurive të specifikuara duke përfshirë: lëndë narkotike, 29 vetura, 134,900 euro para të gatshme, 20,040 franga zvicerane, 490 dollarë, 13 mijë euro para të falsifikuara, 9 orë dore të markave të njohura, 36 armë të llojeve të ndryshme, 1,569 fishekë të ndryshëm, 1,292 copë municione të ndryshme, një prerëse për paketimin e heroinës dhe kokainës, laptopë, telefona, USB dhe dokumente të ndryshme.
Po ashtu janë ngrirë mjete në llogari bankare në vlerë 500 mijë euro, dhe janë vënë nën urdhër ndalues të gjitha paluajtshmëritë e të pandehurve në këtë rast.
Operacioni, i koduar me emrin “Qielli i thyer”, u mbështet nga një shkëmbim efektiv i të dhënave me autoritetet e Belgjikës, Francës, Holandës dhe EUROPOL-it, i cili ka siguruar koordinim ndërkombëtar policor, ndërsa u drejtua nga prokurori i PSRK-së, i cili ishte i pranishëm gjatë realizimit të urdhër-kontrollit