Në një takim të mbajtur sot në ambientet e Odës Ekonomike të Kosovës, përfaqësues të sektorit privat, organizatave ekonomike dhe klubeve të ndryshme të biznesit kanë shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për hapjen e tregut të lirë të furnizimit me energji elektrike për bizneset e mesme dhe të mëdha në vend.
Pjesëmarrësit në takim theksuan se ky vendim, i marrë pa një proces gjithëpërfshirës konsultimi dhe me mungesë të theksuar transparence, po krijon një klimë të re pasigurie për investitorët dhe operuesit në treg. Sipas tyre, disa kompani tashmë kanë filluar të ndjejnë ndikimet negative të ndryshimeve të papritura në furnizim dhe çmime.
“Mungesa e informimit dhe përgatitjes së duhur nga ana e institucioneve për këtë hap ka bërë që bizneset të ndihen të pambrojtura. Ky është një problem serioz që kërkon reflektim të menjëhershëm,” u tha në deklaratën për media pas takimit.
Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit njoftuan gjithashtu se do të zhvillojnë takime të rregullta me anëtarët e tyre për të koordinuar veprimet e ardhshme, përfshirë mundësinë e adresimit të këtij problemi edhe përmes kanaleve ligjore dhe ndërkombëtare.
Nga Oda Ekonomike e Kosovës u bë thirrje publike Qeverisë së Kosovës dhe ZRRE-së që të rishqyrtojnë vendimin dhe të përfshijnë komunitetin e biznesit në hartimin e një strategjie të qartë dhe të qëndrueshme për liberalizimin e tregut të energjisë.
“Duhet veprim i shpejtë dhe i koordinuar për të parandaluar pasojat afatgjata në konkurrueshmërinë dhe stabilitetin ekonomik të vendit,” u tha ndër të tjera në këtë takim të nivelit të lartë.