Drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, pas një takimi me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sorensen, ka kërkuar ndalimin e asaj që ai e cilësoi si “terrori dhe përndjekja politike” ndaj përfaqësuesve të komunitetit serb në Kosovë, në veçanti ndaj anëtarëve të Listës Serbe.
Petkoviq tha se kryetari i kësaj partie, Zoran Elek, dhe figura të tjera si Igor Simiq, janë ftuar nga Prokuroria e Kosovës për hetime që ai i konsideroi të motivuara politikisht, lidhur me pjesëmarrjen e tyre në protesta dhe bllokada. Ai i quajti këto veprime “përndjekje direkte nga Qeveria e Albin Kurtit ndaj përfaqësuesve serbë”.
“Sot i dorëzova z. Sorensen një listë me 50 veprime eskaluese që Prishtina ka ndërmarrë ndaj serbëve në tre muajt e fundit. Ky është një përndjekje sistematike dhe nuk ndodh askund tjetër në Evropë,” tha Petkoviq.
Ai theksoi se kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, po synon “shuarjen” e Listës Serbe për shkak të mbështetjes së saj të gjerë në mesin e serbëve të Kosovës.
Në takim, Petkoviq ka ngritur edhe çështjen e ndërmarrjeve serbe si MTS dhe Elektrosever, ndërsa ka shprehur pakënaqësi për temat që kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka trajtuar në bisedime, si ajo e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“Asociacioni është çështja thelbësore e dialogut. Tema si Presheva e Bujanoci janë të papranueshme dhe nuk kanë vend në këtë proces. Këto janë çështje të brendshme të Serbisë,” u shpreh ai.
Petkoviq tha se është biseduar gjithashtu për qasjen e oficerit ndërlidhës serb, Dejan Paviqeviq, te të burgosurit serbë në Kosovë – vizita të cilat, sipas tij, janë penguar disa herë.
Ai vlerësoi çështjen e personave të zhdukur si të rëndësishme për Serbinë, duke shpresuar në rifillimin e punës së grupeve të përbashkëta punuese për të avancuar procesin.
Në fund të takimit, Petkoviq theksoi se “BE-ja duhet të reagojë ndaj këtyre shkeljeve” dhe se Sorensen është “i informuar për të gjitha zhvillimet”. Ai shtoi se ky takim përbën një përgatitje për bisedimet e ardhshme trepalëshe, për të cilat pret ftesë së shpejti.