Rahovec: Kryetari Latifi ndan 253 bursa për studentë dhe nxënës shembullorë

by engel

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka zhvilluar sot një takim me studentët e universiteteve publike dhe nxënësit shembullorë të shkollave të mesme, ku ka bërë nënshkrimin zyrtar të kontratave për ndarjen e bursave komunale për vitin akademik dhe shkollor 2024/2025.

Në një ceremoni të organizuar në ambientet e komunës, Latifi bëri të ditur se këtë vit janë ndarë 203 bursa për studentë dhe 50 bursa për nxënës, duke e cilësuar këtë si numrin më të lartë të bursave të ndara ndonjëherë nga Komuna e Rahovecit.

banner

“Mbështetjen për studentët dhe nxënësit më të dalluar e kemi filluar që në vitin 2018 me vetëm 63 bursa. Çdo vit kemi rritur numrin, deri në këtë rekord të ri prej 253 bursash. Kjo është dëshmi e përkushtimit tonë për të investuar në dijen dhe të ardhmen e rinisë sonë”, u shpreh kryetari Latifi gjatë fjalimit të tij.

Ai theksoi gjithashtu se Komuna e Rahovecit do të vazhdojë të qëndrojë pranë të rinjve me përkrahje të vazhdueshme, duke u ofruar mundësi që të përparojnë në fushat e tyre akademike dhe profesionale.

“Studentëve dhe nxënësve përfitues të bursave, ju urojmë shëndet, suksese dhe një rrugëtim të frytshëm drejt ëndrrave të tyre. Përkrahja jonë nuk do të mungojë asnjëherë – përkundrazi, do të rritet vit pas viti”, shtoi ai.

Kjo iniciativë e vazhdueshme e Komunës së Rahovecit po vlerësohet nga qytetarët si një hap konkret drejt fuqizimit të arsimit dhe ndërtimit të një gjenerate të re me dije dhe aftësi për të kontribuar në zhvillimin e vendit.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy