Merr formë tabloja e çerekfinaleve në Roland Garros 2025. Asnjë problem për Novak Gjokoviq, i cili siguron kalimin në çerekfinalet e Roland Garros 2025 duke kaluar Cameron Norrie në më pak se dy orë e një çerek.
Në fillim të ndeshjes, serbi kalon menjëherë në avantazh 2-0 në setin e parë, por më pas pëson një “break” nga anglezi.
Megjithatë, numri 6 i botës e ka gjithçka nën kontroll: e rikthen menjëherë “break”-un dhe kalon në 3-1. Norrie nuk arrin të rikuperojë më, humbet një tjetër shërbim në “game”-in e fundit për rezultatin 6-2 që i jep Gjokoviqit epërsinë 1-0.
Seti i 2 dhe i 3 folën më pas vetëm për tenistin serb që arriti të kalojë me sukses Norrien. Gjokoviq avancon dhe takon në çerekfinale Zverev: gjermani qëndron në fushë vetëm 54 minuta kundër Griekspoor, i cili dorëzohet në setin e dytë. Pas disavantazhit 6-4 dhe 3-0 në setin e dytë, holandezi nuk mund të vazhdojë dhe deklaron tërheqjen.
Jannik Sinner kalon lehtësisht në çerekfinalet e Roland Garros 2025 duke mposhtur Andrey Rublev me rezultatin 6-1, 6-3, 6-4 në vetëm dy orë e një minutë. Pas një momenti të vështirë në “game”-in e parë (dy “break point”-e të shpëtuara), italiani dominoi ndeshjen pa i dhënë asnjë mundësi rusit për të reaguar. Rublev nuk arriti asnjë “break” gjatë gjithë sfidës.
Sinner fitoi dy “break”-e në setin e parë për 6-1, kontrolloi setin e dytë me një tjetër “break” për 6-3 dhe në setin e tretë, më të luftuarin, shfrytëzoi një gabim të Rublev në fund për të fituar 6-4.
Në çerekfinale, numri një në botë (prej 52 javësh) do të përballet me Alexander Bublik, i cili eliminoi Draper me përmbysje 3-1. Anglezi merr setin e parë me forcë 7-5, por më pas pëson rikthimin e kazakut: 6-3 dhe 6-2 për të përmbysur rezultatin dhe për të kaluar përpara.