Trafik armësh nga Kosova në Shqipëri dhe kultivim kanabisi, goditet grupi kriminal në Fier (VIDEO)

by engel

Policia e Fierit ka goditur një grup kriminal që merrej me trafikim armësh dhe kultivim e shitje kanabisi. Katër persona janë arrestuar, ndërsa janë sekuestruar 6 armë zjarri e gjahu, 4000 fidanë kanabisi, 5000 fara kanabisi, qindra fishekë të kalibrave të ndryshëm, radio dhe uniforma si të Policisë.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, Skënder Hita, në një pronocnim për mediat dha detaje nga operacioni i koduar “Procedimi”.

banner

Procedimi u iniciua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Fier dhe u ndoq në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale të Policisë së Shtetit.

Nga hetimet rezultoi se disa shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin veprimtari kriminale në fushën e trafikimit të armëve dhe municioneve të kalibrave të ndryshëm, si dhe mbanin armë zjarri, për qëllime kriminale.

Ky aktivitet kryhej në disa qytete të vendit, si Fier, Lushnjë, Durrës, Shkodër dhe Kukës, ndërsa në disa raste armët siguroheshin nga Kosova dhe futeshin ilegalisht përmes kufirit të gjelbër në PKK Morinë.

Po nga hetimet rezultoi se ky grup merrej edhe me kultivimin dhe shitjen e kanabisit.

Gjatë operacionit u ushtruan 8 kontrolle banesash, 2 kontrolle në ambiente të dyshuara për magazinim të armëve dhe të municionit luftarak, si dhe 3 kontrolle automjetesh.

Gjatë këtyre kontrolleve u sekuestruan:
4000 fidanë kanabisi (2000 të mbjellë në tokën në pronësi të shtetasit B. B. dhe 2000 të kultivuar në kubikë);
3 armë zjarri automatike, 2 armë gjahu dhe 636 fishekë të kalibrave të ndryshëm;
5000 fara kanabisi;
2 radio si të Policisë, 2 uniforma policie, 1 maskë plastike me paruke;
3 automjete dhe 10 celularë.

Gjithashtu, në banesën e shtetasit N. O., në Durrës, u sekuestrua 1 armë zjarri pistoletë, të cilën ky shtetas tentoi ta hidhte nga dritarja, në momentin e ndërhyrjes së Policisë.

Gjatë operacionit u ndaluan shtetasit:
B. B., 48 vjeç, banues në Kallm, Fier, i dënuar më parë në Itali, me 30 vjet burgim, për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Armëmbajtja pa leje”;
N. O., 53 vjeç, banues në Durrës, me precedent penal në fushën e armëmbajtjes pa leje;
Q. Sh., 48 vjeç, banues në Lushnjë, i dënuar më parë për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje;
B. B., 33 vjeç, banues në Divjakë.

Gjithashtu, u procedua në gjendje të lirë një 51-vjeçar nga fshati Peshtan, Fier, i arrestuar më parë për kundërshtim të punonjësve të Policisë.

Nga hetimet rezulton se ky grup vepronte i organizuar, me qëllim trafikimin e armëve nga Kosova në Shqipëri, për t’i shitur më pas tek individë të përfshirë në veprimtari kriminale.

B. B dhe Q. Sh. ishin organizatorët e grupit. Anëtarët e tjerë kishin rol në sigurimin e armëve dhe në gjetjen e klientëve.
Njëkohësisht, kryetari i grupit, B. B., organizonte kultivimin dhe më pas shitjen e kanabisit.

Operacioni vijon dhe hetimet po thellohen, për të identifikuar dhe kapur shtetasit e tjerë të përfshirë në këto veprimtari kriminale./vizionplus.tv

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy