Zagreb, 4 qershor 2025 – Kroacia ka vendosur të rikthejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak pas më shumë se 17 vitesh. Vendimi vjen si përgjigje ndaj ndryshimeve gjeopolitike, sfidave të sigurisë globale dhe nevojës për përgatitje më të mirë të qytetarëve për situata të krizës, siç bëri të ditur Ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiq.
Në një deklaratë për mediat, Anushiq sqaroi se shërbimi ushtarak do të përfshijë trajnimin bazë ushtarak, shërbimin civil dhe shërbimin rezervë, duke filluar nga viti kur qytetari mbush 18 vjeç. Trajnimi fillestar do të zgjasë dy muaj dhe do të zhvillohet në kazermat në Knin, Slunj dhe Pozhega, me kapacitet deri në 800 kadetë për brez dhe deri në pesë breza në vit.
Kadetët do të trajnohen në përdorimin e armëve, aftësitë e këmbësorisë dhe menaxhimin e situatave emergjente. Gjatë dy muajve të shërbimit, ata do të marrin një pagesë mujore prej 1,100 eurosh, dhe kjo periudhë do të përfshihet në përvojën e tyre të punës. Gratë nuk janë të obliguara të marrin pjesë, por mund të regjistrohen vullnetarisht.
“Trajnimi është i detyrueshëm për burrat nga mosha 18 deri në 30 vjeç që kalojnë kontrollin mjekësor. Ata që janë në arsim të rregullt do të mund ta shtyjnë shërbimin deri pas diplomimit,” u shpreh ministri.
Për personat me kundërshtim ndërgjegjeje, ekziston mundësia e trajnimit në mbrojtje civile, që zgjat tre muaj dhe përgatit qytetarët për reagim në raste fatkeqësish natyrore apo kriza të tjera. Ata që e përfundojnë këtë trajnim bëhen pjesë e forcës rezervë.
Një kategori tjetër, që nuk dëshiron të marrë pjesë në asnjë formë të shërbimit ushtarak ose civil, do të angazhohet për katër muaj në shërbime komunitare për bashkitë apo qytetet. Kjo kategori nuk do të përfitojë pagesë, përveç një vakti të ngrohtë dhe mbulimit të transportit.
Ligji i ri garanton se qytetarët që janë të punësuar nuk mund të pushohen nga puna gjatë kohës së shërbimit ushtarak, duke siguruar mbrojtje të të drejtave të tyre në tregun e punës.
Ministri Anushiq theksoi se kthimi i shërbimit të detyrueshëm vjen në një kohë të rritjes së pasigurisë në Evropë dhe rajon. Ai përmendi sfidat klimatike, fatkeqësitë natyrore dhe nevojën për një forcë qytetare të përgatitur si elementë kyç që ndikuan në këtë vendim strategjik.