Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se deklarimet e tij ditë më parë për militarizimin e zonës së jugut të Serbisë nuk paraqesin frikësim për qytetarët, pasi, siç thotë ai, “asnjë qytetar nuk kam takuar që të ketë thënë se jam frikësuar nga deklaratat tuaja rreth militarizimit të Serbisë”.
Ai ka theksuar se ato deklarata në asnjë rast nuk kanë shpërndarë panik te qytetarët dhe se deklarimet e tyre nuk janë diskutim për luftë, por për kërcënim.
“Nuk besoj që është diskutim për luftë, është diskutim për kërcënim që fatkeqësisht ka qenë aty për një kohë të gjatë. Nuk është etike që ta fshehim nga biznesmenët dhe nga investitorët e mundshëm gjendjen që është përreth kufirit tonë, sepse, fundja, me një kërkim të thjeshtë në internet, secili qytetar i Kosovës apo qytetar i ndonjë vendi tjetër që vjen në Kosovë i gjen edhe trupat serbe të pozicionuara, sepse janë publike që Serbia ka tri nga katër brigadat në jug të territorit të saj. Mund të gjendet gjithandej në internet që Brigada e Dytë e saj është në Rashkë, e Treta në Nish, e Katërta në Vranjë…”, ka thënë ndër të tjera ai