Prishtinë, 4 qershor 2025 – Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadoren e Holandës, Karin Boven, ambasadorin e Finlandës, Matti Nissinen, si dhe ambasadorin e Suedisë, Jonas Westerlund. Takimi është zhvilluar në kontekstin e zhvillimeve të fundit politike në vend dhe situatës së krijuar pas moskonstituimit të Kuvendit të ri.
Sipas njoftimit zyrtar të Zyrës së Presidentes, diskutimet u përqendruan në gjendjen aktuale politike në Kosovë, me theks të veçantë në vonesat që po pësojnë institucionet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“Takimi u fokusua në zhvillimet e fundit në vend, situatën e krijuar pas moskonstituimit të Kuvendit, si dhe në bashkëpunimin bilateral me shtetet përkatëse në fusha të ndryshme”, thuhet në komunikatën e Presidencës.
Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohje të thellë për mbështetjen e vazhdueshme që Holanda, Finlanda dhe Suedia i kanë dhënë Kosovës, veçanërisht në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike. Ajo theksoi rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit institucional dhe të bashkëpunimit të ngushtë me aleatët evropianë në këtë periudhë të ndjeshme për vendin.