Refuzohet propozimi i Prokurorisë për dëgjimin e një rreshteri policor si dëshmitar në rastin “Kobra”, prezantohen pamje të natës kritike

by Nexhat

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkurën është refuzuar propozimi i Prokurorisë që rreshteri Faton Morina, i cili ishte thirrur në asistencë të Prokurorisë për të prezantuar video-incizimet, të dëgjohet në cilësi të dëshmitarit në gjykimin për vrasjen në “Kobra City”.

Në këtë rast, Dibran Hoxhaj i njohur si “Koba” dhe katër të akuzuarit Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badalli, akuzohen për rastin e vrasjes së V.C., më 3 janar 2023 në lokalin “Kobra City” në Prizren.

banner

“Refuzohet propozimi për shkak se Prokuroria nuk ka dhënë sqarimet se cilat janë mospërputhjet në mes të raporteve të dorëzuara nga rreshteri dhe video-incizimeve të cilat sot janë administruar në cilësi të provës materiale”, tha kryetari i trupit gjykues, Kujtim Krasniqi.

Ai shtoi që në rast se Gjykata vlerëson se është e nevojshme që të dëgjohet i njëjti në cilësi të dëshmitarit, Gjykata do ta vlerësojë sipas detyrës zyrtare.

Sipas prokurores Merita Bina-Rugova, dëgjimi i rreshterit është shumë e rëndësishme pasi që ai ka marrë pjesë në përgatitjen e raportit të këtyre video-incizimeve.

Gjatë kësaj, seance u bë prezantimi i disa pamjeve, me të cilat Prokuroria prentendon që i akuzuari Hoxhaj, në natën kritike ka dalë nga diskoteka në Gjilan dhe është nisur në drejtim të lokalit të tij “Kobra City”.

Prokurorja tha se pas një minuti, pasi që i akuzuari Dibran ka hyrë në parkingun e lokalit të tij, vetura e të dëmtuarve është larguar nga lokali.

“Keni pasur mundësi të shihni po ashtu që vetëm 1 minutë pasi që Audia me Dibran Hoxhajn ka hyrë në parking të lokalit, automjeti i të dëmtuarve është larguar nga i njëjti parking. Kjo dëshmon se e tërë ngjarja ka zgjatur më pak se 1 minutë. Fjala është për vrasjen natyrisht”, tha prokurorja, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, sipas mbrojtjes së Hoxhës, avokatit Musa Konxheli, këto pamje nuk vërtetojnë asgjë dhe nuk duhet që t’iu falet besimi

“Pas shikimit të video-incizimit, mbrojtja vlerëson dhe konstaton se kjo provë nuk vërteton asgjë lidhur me çështjen që është objekt shqyrtimi. Ndërsa, sa i përket veturave që shihen në lëvizje, ato i kundërshtojmë, sepse as që dihet dhe as që shihet se cila veturë, çfarë targash, çfarë lloj veture është dhe të njëjtin nuk mund ta njohim. Andaj, duke u bazuar në to, i propozojmë gjykatës që e njëjta të mos merret si provë e pranueshme”, tha avokati Konxheli.

Gjithashtu, i akuzuari Hoxhaj kërkoi nga Gjykata që të caktohet një ekspert për të identifikuar veturën e cila paraqitet në video, targën e veturës si dhe personat të cilët pretendohen se janë në videot e prezantuara nga Prokuroria.

Po ashtu, Hoxhaj kërkoi që të bëhet edhe prezantimi i telefonatës, në të cilën, Prokuroria pretendon se iu është drejtuar punëtorëve në momentin kur është thyer lokali i tij.

“Kur është thyer lokali pretendohet se është një telefon, a ka mundësi me dëgju telefonatën sepse është thënë në pjesë të shkurtër, ju kemi thënë “jemi larg, thirrni policinë”. Po ashtu, kisha dashtë me ditë lokacionin, vendndodhjen ku na e kemi çelë telefoni”, shtoi Hoxhaj

Po ashtu, gjatë kësaj seance gjyqtari Krasniqi njoftoi palët sa i përket propozimit të mbrojtësit tjetër të Hoxhajt, avokatit Florent Latfiaj, i cili ka kërkuar që të dëgjohet në cilësi të dëshmitarit Fidan Neziri, i cili kishte qenë me të akuzuarin Hoxhaj në kohën kur kishin dalë nga diskoteka “Stock”.

“Refuzohet propozimi që të dëgjohet dëshmitari Fidan Neziri në rrethanat e propozuara, për shkak se arsyet për të cilat është propozuar ky dëshmitar janë të provuara me prova materiale, si dhe disa arsye të tjera nuk kanë të bëjnë me objektin e akuzës”, tha gjyqtari Krasniqi.

Po ashtu, gjyqtari njoftoi që nga seanca e kaluar ishte lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj dëshmitares A.S., mirëpo për të njëjtën gjykata nuk ka marrë akoma një përgjigjje nga Policia.

Për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore të të akuzuarit Roland Susuri, pasi që i njëjti nuk ishte të gjendje që të qëndronte në seancë, ajo u ndërpre për të vazhduar një datë tjetër.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 20 shkurt 2024, ka ngritur aktauzë kundër Dibran Hoxhajt i njohur si “Kobra” dhe Roland Susurit, Arben Vezajt, Burim Mazrekut dhe Jesmir Badallit, për vrasjen e shtetasit të Shqipërisë në Prizren më 3 janar 2023.

Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, “Kobra”, akuzohet se më 3 janar 2023, në ora 4:10, në afërsi të lokalit të tij “Kobra City”, në magjistralen Prizren-Zhur, me dashje ka privuar nga jeta V.C,  duke vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve R.T (Sh) dhe A.B.

Deri të rasti, sipas aktakuzës së Prokurorisë kishte ardhur pasi të dëmtuarit nuk ishin pajtuar me faturën e lartë në lokal, duke filluar kështu një zënkë me punëtorët e lokalit. /BetimipërDrejtësi/

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy